4 sulme në 5 javë/ Policët e Shkodrës nën kërcënimin e tritolit dhe zjarrvënies…

Nga Elkier Bushkolaj

4 sulme në 5 javë/ Policët e Shkodrës nën kërcënimin e tritolit dhe zjarrvënies

Banesa e efektivit të Policisë së Shkodrës, Pëllumb Vukaj, u bë objekt I sulmi me lëndë plasëse mëngjesin e kësaj të enjte, duke shkaktuar panik tek familjarët e tij që ndodheshin të gjithë në banesë. Ky është rasti I katërt I sulmit ndaj pronës së një efektivi të kësaj drejtorie në harkun kohor të pesë javëve.
Në 20 maj një sasi tritoli u vendos në biznesin e punonjësit të Policisë së Shkodrës, Ndrek Rrasa, ndërsa autori u kujdesi ti digjte edhe fugonin e parkuar para lokalit. Rrasa u shpreh se dyshimet i ka tek dekonspirimi i aksioneve antikanabis ku ai ka marrë pjesë në shkatërrimin e parcelave të kanabisit.
Në 14 maj, objekti i zjarrvënies do ishte mjeti i efektivit të Policisë Shkodër Sokol Kroni, që ishte parkuar pranë banesës së tij në lagjen “Tre Heronjtë” Skema është e njëjtë, madje autorët kujdesen që krimin ta kryejnë edhe para kamerave të sigurisë.

Mbrëmjen e 27 prillit në Shkodër do të digjej vetura e punonjësit të policisë Dritan Turhani.
Asnjë nga rastet e regjistruara në harkun kohor të 5 javëve, nuk është zbardhur nga autoritetet.
Asnjë Drejtues Madhor i Policisë së Shtetit nuk ka zbarkuar në Shkodër për këto çështje e së paku për të bërë transparencë për publikun dhe për ti siguruar këta efektivë policie se shteti do garantojë mbrojtjen e tyre.
Kur kërcënohen hapur efektivët e armatës në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, që ka në gjirin e saj ndër specialistët më të aftë në Shqipëri, është sinjal i fortë së në drejtoritë e qarqeve të tjera panorama është edhe më e zymtë, ndonëse deri tani nuk është raportuar për akte konkrete.