Gilman Lika: Vllaznia u vodh në ndeshjen me Bylisin, kundër Tiranës vetëm për fitore

Tirana dhe Vllaznia të premten do të ndeshen për javën e 21 të Kategorisë Superiore në stadiumin “Loro Boriçi”. Një ndeshje e cila ka marrë vëmendje nga i gjithë opinioni sportiv, duke parë historinë e dy klubeve. Gilman Lika, në një intervistë për RTSH, e konsideron si emocionuese këtë ndeshje dhe shprehet se Vllaznia shkon vetëm për fitore. Ai flet edhe për situatën në fund të ndeshjes së kaluar kundër Bylisit. Lika pretendon se Vllaznisë iu mohua një penallti e pastër në atë takim.“Është shumë habitshme sepse ndaj Bylisit ishte një ndeshje, ku mendoj se Vllaznia u vodh në Ballsh dhe në vend që të ankohen drejtuesit tanë ankohet Ballshi. Ne arritëm të shënonim dy gola dhe na u mohua një penallti e pastër. Por pretendon Ballshi dhe akuzon dikë, që e ka anuluar penalltinë, i cili ka vepruar drejtë. Unë mendoj se duhet t’i themi një ‘bravo’ të madhe për këdo, që e bën këtë veprim.

Emocioni për ndeshjen kundër Tiranës është i madh jo vetëm sepse kam qenë pjesë e Tiranës, por edhe se është një ndeshje shumë e fortë dhe në kampionatin tonë, jo çdo ndeshje e ka mundësinë për një shikueshmëri të tillë. Ata kanë pretendimet e tyre si çdo ekip, por ne jemi Vllaznia dhe kemi bërë ndeshje të mira ndaj çdo ekipi të fortë. Shkojmë në atë ndeshje për ta fituar”, përfundoi Lika. /vipsport.al/