Triumf mes lotësh, Brazili kampion bote për 17-vjeçarë

17-vjeçarët e Brazilit janë shpallur kampionë të botës për herë të katërt në historinë e tyre, pasi mposhtën në finalen dramatike 2-1 Meksikën.

Talentet e “Selecaos” zhvilluan një pjesë të parë të mirë  në finalen e luajtur në tokën e tyre, por nuk arritën të gjenin golin, duke u ndalur nga traversa.

Edhe pjesa e dytë nisi me Brazilin më kërkues, por Meksika ndëshkoi me një gol nga goditja e dënimit. Në stolin e Meksikës kishte nisur festa, por pak minuta para fundit të takimit, vendasit fituan një 11-metërsh shumë të diskutueshëm, ndërsa në minutën e fundit shënuan edhe golin e triumfit, i cili u shoqërua më pas me lot gëzimi e hidhërimi nga të dyja kampet.

Ky ishte titulli i katërt për Brazilin në këtë grupmoshë, ndërsa më është Nigeri përfaqësuesja, e cila është më e titulluar në botërorin e 17-vjeçarëve, me 5 tituj.