Ambasadori Gjerman takim me kryebashkiaken Ademi…

Pata kënaqësinë të mirëpres në një takim kortezie Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Z. Peter Zingraf.

Kjo vizitë, është rikonfirmim i vëmendjes së Gjermanisë për Shkodrën, ku përmes KfW-së dhe GIZ, por jo vetëm, kontributi është shumë i çmueshëm.

Në përgjigje të interesimit të ambasadorit Zingraf, paraqita panoramën e situatës së pandemisë COVID-19 në Bashkinë e Shkodrës. E njoha diplomatin gjerman me problematikat e ndeshura, vështirësitë, por edhe rrugëzgjidhjet që kemi gjetur, duke qenë në krah të qytetarëve më në nevojë, por edhe bisnesit.

Ambasadori Zingraf ka falenderuar për mikpritjen dhe prezantimin e situatës, duke nënvizuar se ka qenë vizitor i rregullt në Shkodër, duke patur një marrëdhënie shumë të mire me Bashkinë e Shkodrës.

Ai nënvizoi mbështetjen e Gjermanisë dhe të projekteve gjermane të ndihmës humanitare dhe shëndetësore në kohë
pandemie dhe ftoi që Bashkia e Shkodrës të bëhet pjesë në monitorimin e shpërndarjes së saj në destinacion, në dobi të qytetarëve dhe për një transparencë të domosdoshme.

Diplomati shprehu dëshirën për një tjetër tryezë të përbashkët, në një kohë të mëvonshme më të përshtatshme.