“Askush nuk më kontrollon dot, është si në Shqipëri”, përgjimet që fundosën Elsa Lilën…

Mediat italiane kanë publikuar disa përgjime ku shfaqet këngëtarja Elsa Lila që u arrestua për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Mësohet se Lila, është personi që kujdesej për administrimin e parave që përfitonte grupi nga aktiviteti kriminal. Sipas një përgjimi të autoriteteve italiane, këngëtarja bisedon me një anëtar të grupit që e strehon në banesën e saj pasi atje është i sigurt dhe nuk preket nga policia.

“Unë nuk kam frikë nga shteti, kam frikë nga hajdutët… mua nuk më vjen askush nga shteti të më kontrollojë, unë tek shteti shkoj çdo ditë.”

Po kështu, këngëtarja shqiptare këshillonte anëtarët e tjerë të grupit që të siguronin lidhje me njerëz me pushtet për të garantuar paprekshmërinë.

“Këtu është si në Shqipëri, të duhet një i njohur, kushdo që të jetë në qeveri të duhet të gjesh një mënyrë sepse edhe këtu njerëzit shiten”.

Këngëtarja shqiptare Elsa Lila u arrestua një ditë më parë në Itali, si pjesë e një rrjeti të trafikimit të drogës. Në pranga u vunë edhe 7 persona të tjerë, mes të cilëve dhe boksieri Petrit Bardhi, ndërsa katër janë shpallur në kërkim.