Autostrada Muriqan–Lezhë/ BE, 255 mln euro për korridorin adriatiko-jonian…

Autostrada Muriqan–Lezhë (Balldren) me gjatësi prej 41 km do të jetë një frëmarrje e re sa i përket zhvillimit infrastrukturor të vendit si pjesë e investimeve gjithëpërfshirëse mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Fondi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), nisma e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe përfituesve, që synon të rrisë harmonizimin dhe bashkëpunimin në investime për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit, mësohet se tashmë po koordinon financimin e segmentit të autostradës Adriatiko-Joniane, Muriqan–Lezhë, pjesë e rrjetit kryesor rrugor evropian (TEN-T).

Sipas një vlerësimi të publikuar nga WBIF, kostoja totale e projektit shkon në 255,1 milionë euro. Nga këto, sipas WBIF-së, 127,9 milionë euro janë kredi. Për 100 milionë euro është aplikuar për grant nga qeveria shqiptare pranë WBIF. Po ashtu nga buxheti qeveria shqiptare do të kontribuojë me 30,3 milionë euro.

Sipas parashikimeve, afati i përfundimit të këtij aksi të rëndësishëm rrugor është planifikuar viti 2029. Autostrada Muriqan–Lezhë (Balldren) do të ketë gjatësi prej 41 km shtrirje të re. Kategoria e propozuar e projektimit është “A”, me shpejtësi 120 km/h.

Ky segment parashikohet të ketë edhe disa vepra arti. Gjithashtu, në këtë projekt, duke qenë se autostrada do të jetë krejtësisht e mbrojtur nga hyrjet anësore, parashikohet edhe ndërtimi i rrugëve paralele të dy krahët në zonat e banuara.

WBIF po financon përmes një granti në vlerë 1.6 milionë euro hartimin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social. Projekti i Korridorit Blu ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh. Në segmentin Thumanë–Kashar, po vijon puna me ritme të shpejta dhe është realizuar mbi 40% e volumeve.

Për segmentet Milot–Thumanë/Kashar–Lekaj/ Lekaj–Fier, kanë përfunduar garat dhe janë tanimë gati tri kontrata të reja që po lidhen për të nisur menjëherë nga puna.

Për segmentin Milot- Balldren, pritet të hapet gara e ndërtimit. Muriqan- Lezhë është segmenti lidhës me Malin e Zi, për të cilin aktualisht konsulentët e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) po hartojnë projektin paraprak, të cilin pritet ta dorëzojnë në Dhjetor 2023.