Banesa shkodrane e familjes “Filip Çeka”, Monument Kulture, Kategoria I…

Monument Kulture, Kategoria I, (1963), shpallur me vendim të Rektoratit të Universitetit Shtetëror. Banesa ruhet mjaft mirë, persa i përket strukturës ndërtimore, ku spikasin element me vlerë historike, arkitektonike dhe artistike, në pjesën e brendshme dhe të jashtme të banesës.

Banesa e familjes Çeka, gëzon një strukturë solide 250 vjeçare, ndërtuar nga dy ushtarë dibran, usta Jashar Lleshi dhe Jashar Xhani, ku si në katin përdhes ashtu edhe në murin rrethues mbizotëron muri prej guri. Ajo ka stil oriental dhe ruan tre mjedise karakteristike me ornamente tradicionale, trapazan, musandër, sënduk paje, tavan i punuar prej druri, oxhak stolisur me ornamente, dhe elemente të tjerë përbëres të mjedisit që i përkasin `odës së miqve` të periudhës së shek XVIII-XX. Banesa ka një sipërfaqe prej 290 m2 , me dy kate , dhe rreth 12 dynym oborr.

Nga dokumentet që disponohen, të shkruara, rezulton se kjo shtëpi në shekullin XVII kishte altar, gjë e cila i takonte shtëpive me tradita dhe të pasura. Referuar dokumenteve thuhet se “….misionarët françeskanë kur ndaleshin në Shkodër për nevojat e veta, deri në vitin 1861 vinin në shtëpitë e më të parëve pasanikë shkodranë ku disa familje me leje mbanin altar në dhomat e vogla të familjeve, ndër to edhe familja Çeka.

Në këtë banesë karakteristike, lindi dhe jetoi atdhetari i shquar Filip Pjetër Çeka, një ndër kontribuesit më të mëdhenj të degës Lidhja Shqiptare për Shkodrën (1878-1880).Kjo banesë është një rikthim pas në kohë për të kujtuar vendin që zë familja Çeka në histori, e historinë e popullit shkodran si kontribues plot vlera në çështjen kombëtare.

Sot, banesa trashëgohet nga Engjell Çeka, i biri i Filipit dhe Marikës, ekonomist i cili është kujdesur të ruajë dhe të dokumentojë gjurmë të historisë së familjes, duke e kthyer shtëpinë në një mini muze. Engjelli është i martuar me Florindën, mësuese muzike dhe kanë dy djem, Gjorgjin dhe Ervinin.

Rrugica afër kishës së Arrës së Madhe mban emrin rruga e Çekajve.

(Marrë nga DRTK Shkodër)