Bashkia Shkodër evidenton mbi 40 mjete të braktisura në rrugët e qytetit dhe i vendos njoftimin…

Bashkia Shkodër, në kuadër të vazhdimit të procedurave për lirimin e hapësirave publike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, referuar legjislacionit përkatës, pas tri ditësh do të nisë aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna nga automjetet e braktisura, brenda territorit të Bashkisë.

Vetëm në qytetin e Shkodrës, janë konstatuar deri tani mbi 40 mjete të braktisura, që zënë hapësirat publike prej kohësh.

Sot, nga administratorët e rajoneve të qytetit dhe policia bashkiake, janë vënë njoftimet paralajmëruese në automjetet e braktisura dhe pa traga për heqjen e tyre vullnetarisht, brenda afatit treditor, ndërsa për mjetet me targa po procedohet edhe me njoftimin e pronarëve apo institucioneve që i përkasin.

Në të kundërt largimi i automjetit do të bëhet nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të dispozitave ligjore në fuqi.