Beci prezanton projektin për transformimin e Shkodrës: Do të kushtojë rreth 20 mln dollarë…

Kandidati i PS-së për bashkinë e Shkodrës, Benet Beci i ftuar në Real Story në Report Tv me gazetarin Sokol Balla prezantoi edhe projektet që do të vërë në jetë nëse fiton drejtimin e bashkisë më 14 maj. Beci prezantoi projektin që përfshin krijimin e një parku multifunksional buzë Bunës, me një hapësirë prej 18 hektarësh, që do të përfshijë portin pranë Urës së Bunës si një pol i ri turistik, si dhe ngritjen e një muzeu. Sipas Becit projekti për hyrjen e Shkodrës do të kushtojë rreth 20 milionë dollarë.

E shikoj Shkodrën sot si një qytet që nuk të fton. Mos të harrojmë se Shkodra është porta për hyrjen në Europë. Projekti i parë është për hyrjen e Shkodrës. Do të ketë edhe një rrugë për këmbësorët dhe biçikletat, si edhe një muze si tribut për të shkuarën e Shkodrës. Do të ketë fusha sportive si dhe parqe lojërash.’- u shpreh ndër të tjera Beci.

Po ashtu Beci u shpreh se ka hedhur idenë e Fondit të Zhvillimit të Shkodrës, për të cilin tha se do të ishte mekanizmi me të cilin bashkia do të menaxhonte fondet e donatorëve dhe të qeverisë në mënyrë që të realizojnë projekte të tilla.

Kam hedh idenë e Fondit të Zhvillimit të Shkodrës. Do të ishte mekanizmi që të merrte fondet, të ishte i varur nga bashkia i cili menaxhon fondet e donatorëve dhe të qeverisë dhe me procedura strikte dhe të qarta të kishim mundësi që të realizonim projekte të tilla. Na duhet kombinimi mekanizmit të projekteve me mekanizmin financiar.’- tha Beci.