BRDARIÇ: DO LUAJMË VETËM PËR FITORE NDAJ PARTIZANIT…

Trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç ka folur për gazetarët në pragndeshjen me Partizanin duke e vlerësuar në maksimum kundërshtarin, por njëkohësisht duke deklaruar se objektivi do të jetë fitorja. Numri 1 pankinës kuqeblu ka folur gjithashtu edhe për shortin e gjysmëfinaleve të Kupës.

Luajmë ndaj një kundërshtari shumë të fortë, ne e kemi vëmendjen kryesore te Partizani. Në fillim e kam thënë se është një garë e gjatë papushim. Kampionati nisi me vonesë dhe ne u përgatitëm. Edhe kjo pauzë na bëri të marrim energji, duke dashur të rikuperojmë ndeshjet e dobëta që kemi bërë. Kemi dashur edhe të rikuperojmë lojtarët.

Është një proces i gjatë për të kthyer lojtarët në formën më të mirë. Disa lojtarë nuk kanë qenë prej dëmtimeve apo kartonave, por është një gjë që ndodh. Nesër do jetë një ndeshje e fortë dhe do hedhim në fushë 11 lojtarë. Kruja do luajë në vendin e Gurishtës. Kemi lojtarë që të plotësojmë formacionin. Nuk kanë rëndësi emrat, mjafton të më tregojnë në stërvitje se përse do jenë në fushë.

Imami? Është kthyer në stërvitje por ka sërish një dëmtim dhe nuk është në 100 përqind. Them se ka nevojë për më shumë pushim që të jetë gati për ne, por nuk do luajë nesër.

E kam studiuar shumë mirë Superligën dhe e njoh çdo skuadër. Partizani është ndër skuadrat më të forta dhe kanë aftësi të mëdha teknike. Ndeshja është e përgatitur për të marrë maksimumin.

Da Silva? Do hedhim në fushë 11 lojtarë. Victor është një lojtar shumë i mirë që na ndihmon. Do shohim si do shkojë ndeshja nesër dhe do vendosim si do luajmë, me ose pa të. Ka bërë vetëm dy seanca stërvitore dhe nuk është në formë për nesër.

Vllaznia – Laçi në Kupë? Sa për shortin më gëzon fakti që do luajmë në shtëpi. E dimë që është I fortë por secili që është në këtë fazë është I rrezikshëm. Pas Partizanit do mendojmë për këtë takim.

Licencimi e motivon skuadrën? Duhet të qëndrojmë te performanca jonë dhe mos mendojmë çfarë ndodh rrotull. Të kemi mendjen në fushë sepse zoti Albani dhe zonja Voltana po merren me këtë çështje. I falenderoj shumë, por duhet të kemi mendjen në fushë. Është lajm I mirë licencimi në Europë por s’më takon të flas, kjo është gjë me vlerë për Shkodrën dhe futbollin.