Brdaric: Po ndërtojmë Vllazninë e re, ndaj Partizanit luajmë për fitore…

Trajneri i Vllaznisë Thomas Brdaric ka folur ditën e sotme para mediave, në prag të sfidës së nesërme, që skuadra e tij do të luajë me Partizanin në “Loro Boriçi”. Tekniku i shkodranëve ka vlerësuar kundërshtarin, por theksoi se skuadra e tij do të futet në fushë vetëm për fitore. Më tej i pyetur për kushtet ku stërvitet skuadra e tij, ai tha se nuk dëshiron të flasë për këto, pasi tashmë dihet se po ndërtohet një Vllazni e re.

“Nesër është një sfidë e madhe për ne, do jemi në fushën tonë, qytetin tonë dhe me tifozët tanë dhe shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më të mirë të mundshme.

Stërvitja në kalçeto? Nuk kemi kohë për t’u ankuar, e dimë tashmë se si janë kushtet. Kemi punuar nga ana mentale me lojtarët për sa i përket kësaj çështjeje dhe jemi përqendruar vetëm te fitorja për nesër, ky është qëllimi ynë i vetëm për momentin. Pikë së pari ne duhet të kuptojmë se po ndërtojmë Vllazninë e re dhe kjo gjë kërkon pak kohë. Çdokush e di që ne nuk kemi kushtet më të mira, tani nuk do të ankohemi për këtë gjë, por duhet të fokusohemi te gjerat kyçe.

Kur mungon dikush si Aralica do të kërkojmë një mundësi tjetër. Ne do të kemi dy tre lojtarë që janë të gatshëm dhe kanë dëshirë për të luajtur dhe do të zgjedhim 11-shen që mendojmë se është e duhura për të luajtur.

Kemi një trend të mirë rezultate, megjithatë nesër është një sfidë tjetër me Partizanin edhe ata kanë pasur rezultateve pozitive në ndeshjet e fundit. Megjithatë do të futemi në fushë për të marrë tre pikët dhe për të marrë fitoren.

Sot fatmirësisht kemi bërë stërvitje në stadium dhe u morëm më shumë me mënyrën si do të luajmë nesër, megjithatë shpresojmë që çdo lojtar do përpiqet të jetë i gatshëm të luajë.

Sigurisht që pjesëmarrja e mbështetësve varet nga kushtet atmosferike në qytet, shpresoj që të jetë kohë e mirë. Unë e kam thënë gjithmonë që i jam falënderues çdo tifozi që vjen në stadium, qoftë një tifoz të vijë apo shumë më shumë unë prap do i falënderoj dhe do u jem shumë mirënjohës. Megjithatë nëse stadiumi do jetë i tejmbushur do jetë një shtysë shumë më shumë  edhe për ne.

Nuk mendoj se është koha e duhur për të folur për merkaton e janarit, mendoj se duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme. E di që është diçka e veçantë për ju për të folur rreth merkatos megjithatë në kohën e duhur do kemi edhe informacionet e duhura, derisa të vij merkato”, deklaroi Brdaric.