Covid 19/ Bie numri i të infektuarve, tre raste të reja në Shkoder…

Tre raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar këtë të hënë në qarkun Shkodër.

Harta e të infektuarve zgjerohet me dy raste në bashkinë Shkodër dhe një rast në bashkinë Vau Dejës të cilat janë raste kontakti, të transmetuar nga personat e infektuar më herët.

Që prej përhapjes së pandemisë, numri total I të prekurve me Koronavirus është 409 persona ndërsa numri I rasteve aktive është 168.

Sipas informacioneve të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, pjesa më e madhe e të infektuarve vijojnë të jenë të izoluar në banesa ndërkohë që ka pacientë të cilët si shkak I gjendjes së rënduar shëndetësore janë të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë, nga ku po marrin shërbim mjekësor më të specializuar se në Spitalin e Shkodrës.

Muajin e fundit, me rritjen e numrit të qytetarëve të infektuar me COVID-19 ka patur një përhapje të infeksionit në pothuaj të gjithë territorin e qarkut Shkodër, ku aktualisht raste pozitive me Koronavirus ka në të gjitha bashkitë.

Si shkak I kësaj përhapje, epidemiologët nuk mund të flasin më për vatra infeksioni dhe izolim të tyre, por për shpërthim komunitar.

Nisur edhe nga situata e krijuar, institucionet shëndetësore në Shkodër janë angazhuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e ruajtjes së distancës fizike dhe mbajtjes së maskës në ambjente të mbyllura.