Dëshmia: Si e mësuam lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës në burgun e Burrelit

Publikohet historia e panjohur të ndodhur më 11 prill të vitit 1985-së në burgun e Burrelit, ku asokohe vuanin dënimet e gjata disa nga të dënuarit politik që konsideroheshin si disidentë apo kundërshtarët më të fortë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik, Qani Sadiku (me origjinë nga fshati Markat i Sarandës) një nga simbolet e qëndresës antikomuniste, i cili ka vuajtur 20 vite ne kampet dhe burgjet e atij regjimi, lidhur me lajmin e vekjes së ish-diktatorit Enver Hoxha, si e mësuan fillimisht ata, ç’ndodhi atë ditë në atë burg, dhe përse Dom Simon Jubani, nuk u gëzua si të tjerët pas marrjes së atij lajmi?!

Në pranverën e vitit 2006-të, teksa po punonim për realizimin e një dokumentar televiziv për goditjen dhe luftën e egër që i kishte bërë regjimi komunist i Enver Hoxhës religjoneve fetare në Shqipëri dhe kryesisht atij të besimit katolik, gjatë xhirimeve dhe intervistave të ndryshme që bëmë në qytetin e Shkodrës, patëm rastin dhe fatin gjithashtu, të takoheshim edhe me Dom Simon Jubanin, klerikun e famshëm katolik, që konsiderohej si simbol i qëndresës antikomuniste në burgjet e regjitmit diktatorial të Enver Hoxhës dhe që kishte mbajtur meshën e parë në Varrezat e Rrmajt, në nëndorin e vitit 1990-të. Dhe të realizonim me të një intervistë të gjatë, në shtëpinë e vëllait të tij ku ai jetonte asokohe, një banesë e vogël njëkatëshe dhe me oborr, në periferi të Shkodrës. Pas mbarimit të intervistës për dokumentarin në fjalë, (“Viti i mbrapshtë 1967, kur shqiptarët i shpallën luftë zotit”), duke përfituar nga rasti, e pyetëm Dom Simonin edhe për ngjarje të tjera, si p.sh., se si ishte pritur vdekja e Enver Hoxhës në burgun e Burrelit, etj., me idenë për të realizuar edhe një intervistë të gjatë në shtypin e shkruar. Edhe pse fillimisht, Dom Simoni mezi na kishte pranuar të bisedonim me të, (pasi ne jo vetëm që i kishim shkuar pa e njoftuar më parë, por po e shqetësonim edhe në një orar kur ai pushonte), me ndërhyrjen e një mikut tonë nga Shkodra që na shoqëronte dhe të njerëzve të shtëpisë së vëllait të Dom Simonit gjithashtu, ai na pranoi të fliste si për dokumentarin ashtu dhe për histori dhe ngjarje të tjera nga jeta e tij, dhe jo vetëm. Nga koha e kufizuar që kishim në dispozicion, u ndamë miqësisht me Dom Simonin, duke i premtuar se do t’i shkonim një ditë tjetër për ta takuar, natyrisht pasi ta njoftonim më parë, për të përmbyllur atë intervistë të gjatë me të, për në shtypin e shkruar. Gjë të cilën fatëkeqësisht nuk e realizuam dot, sepse pas pak kohësh Dom Simoni, ndërroi jetë. Nga bisedat që bëmë me Dom Simonin, ndërmjet të tjerash me mjaft interes ishte ajo që ai na tregonte kur e pyetëm lidhur me atë se si u prit vdekja e Enver Hoxhës në burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin asokohe. Atë bisedë të lënë përgjysëm me Dom Simon 15 vite të shkuara, (sot kur kanë kaluar 35 vite nga vdekja e diktatorit Enver Hoxha), mundi të na e plotësonte sadopak, një nga bashkëvuajtësit e tij, Qani Sadiku, (me origjinë nga fshati market i Sarandës), i cili konsiderohet si një simbol i qëndresës antikomuniste dhe që ka vuajtur 20 vite në burgjet e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Z.Sadiku, si e mësuat lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës në burgun e Burrelit ?

Po, që nga ora pesë e gjysëm e mëngjezit të datës 11 prill 1985-së, kur filloi trasmetimet Radio-Tirana dhe ne i dëgjonim nëpërmjet fonisë që ishte në të gjitha qelitë e atij burgu, filluan dyshimet e para, pasi nuk po trasmetohej si zakonisht muzikë me këngë popullore, por po jepej muzikë klasike. Kjo gjë e pazakontë tërhoqi vëmëndjen tonë dhe dikush nga bashkëvuajtësit që ishte aty në qelinë tonë (nr. 7), tha me zë të lartë: “Më duket se ka ngordhur Haxhi Lleshi, na e morri të keqen…”. Këto ishin fjalët e para që u thanë atë mëngjez, por nuk e kujtoj mirë nëse ai tha për Haxhi Lleshin, apo për Pilo Peristerin, nuk e kujtoj me saktësi se kë nga këtë emra përmëndi, po njërin nga këta të vjetrit të udhëheqjes, ndoshta dhe Shefqet Peçin, nuk e mbaj mënd shumë mirë.

Më pas a filluan diskutimet se ç’farë mund të kishte ndodhur dhe si e mësuat lajmin për vdekjen e Enverit?

Menjëherë filluan diskutimet se atë punë kishim ne, si do ta kalonim ditën, jo ka vdekur ky, jo ka ngordhur ai, por për Enver Hoxhën, as që na shkonte kurrë ndërmënd. Diku aty nga ora 10 e asaj paradite, pra të 11 prillit, u hap sporteli i derës së qelisë sonë, dhe pastruesi i korridoreve, Stavri Guxo, një bashkëvuajtës joni, (djalë shumë i mirë me origjinë nga minoriteti grek), dha lajmin se kishte vdekur Enver Hoxha. I pari që e dëgjoj atë gjë, ishte Dedë Begeja, një djalë nga Shkodra, i cili menjehërë gjithë gëzim bërtiti me të madhe: ”Heeeej, dëgjoni ka vdekur ai bajga, Enveri, ngordhi qeni…”, dhe lëshoi disa të shara të tjera me fjalorin më banal. Pa mbarur mirë fjalën ai, pothuaj të gjithë ne që ishim në atë qeli, ashtu siç ishim nëpër krevate, si me një komandë, filluam të bërtasim dhe të këndonim, duke bërë yrraaaa, etj., pasthirma dhe brohoritje U krijua një situatë e jashtëzakonëshme që ne nuk e kishim përjetuar asnjëherë gjatë gjithë atyre viteve që ishim aty, pasi i dënuari dhe më pak optimist, ka gjithmonë shpresë se do të lirohet, e ai lajm thoshte shumë.

Po ai i dënuari, Stavri nga e kishte mësuar lajmin?

Siç na tregoi më vonë, Stavri e kishte mësuar lajmin nga oficeri i Sigurimit të Shtetit, Pirro Nuredini, (me origjinë nga Sevasteri i Vlorës), që ishte me detyrë Punëtor Operativ në burgun e Burrelit, i cili sa kishte ardhur në punë, u kishte treguar oficerit të rojes dhe nënoficerit që ishin aty me shërbim për atë që kishte ndodhur. Dhe Stavri, që në ato çaste u ndodh aty duke pastruar zyrat e korridoret, si çdo i burgosur me veshët gati për lajme të tilla, e kishte dëgjuar e na e tha ne.

Pasi e mësuat lajmin dhe filluat të bërtisnit e të shanit, çfarë ndodhi më pas aty në burg, a patët probleme me komandën e burgut ?!

Pak minuta pasi ne filluam të bërtisnim dhe të shanim, nëpër korridoret e qelive tona dëgjonim hapa dhe këpucët që i kërcisnin me shumë zhurmë, njëlloj si stërvitjet rreshtore apo kuadratet me ushtarë nëpër parada që përplasin hapat fort.

Përse bëhej ajo, çfarë po ndodhte aty?

Komanda e burgut, sapo morri veshj lajmin, vuri policë dhe nënoficerë të burgut që të kalonin disa herë nëpër të gjithë korridoret dhe të përplasnin këmbët fort e me zhurmë të madhe, për të na bërë presion psikollogjik neve të dënuarave, duke na lënë të kuptonim se po merreshin masa, dhe në duhej të rrinim urtë.

Ç’farë masash të tjera u morrën, pra përveç kërcitjeve të hapave nëpër korridore, pasi u mësua lajmi i vdekjes së Enverit, çfarë ndryshoi tjetër në regjimin e burgut, nga një ditë e zakonëshme?

Masë tjetër që vumë re ne, ishte përforëcimi i rojeve nëpër vënd-roje, apo karakolle siç i thoshim ne, ku përveç ushtarëve të zakonshëm që bënin roje me armë “Kallashnikov”, në qafë dhe gati për zjarr, u shtuan dhe nga një nënoficer me “Kallashnikov” dhe mitroloz të lehtë me dy këmbë dhe me krëhërat e fishekëve në fole, gati për zjarr.

Ku i shikonit ju këto?

Nga frengjia e qelisë sonë dukej një karakoll dhe nga çdo qeli tjetër shikohej nga një vëndë-roje.

Përse po merreshin gjithë ato masa, kur ju ishit të izolur…?!

Të gjitha këto, bëheshin për të rritur gatishmërinë luftarake siç ishin rregullat e burgut kur ndodhnin ngjarje të jashtëzonëshme, por më shumë për presion psikollogjik ndaj nesh, për t’iu ruajtur ndonjë revolte.

Si vijoj më tej situata në qelinë tuaj?

Pak momente pasi ne mësuam lajmin dhe filluam të bërtisnim pothuaj të gjithë, unë i’u afrova Dom Simon Jubanit, bashkëvuajtësit të qelisë sonë, pasi më tërhoqi vëmëndje qetësia e tij. Ai nuk reagoi fare, por po rrinte krejt i qetë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Dom Simoni, përveçse ishte një njeri i shkolluar, mjaft i ditur dhe me kulturë të madhe, ishte autoritar dhe një antikomunist i vendosur që siç vlersohej dhe respektohej nga të gjithë të dënuarit, ishte halë në sy i komandës për vetë qëndrimin e tij të ashpër që mbante ndaj tyre. Nisur nga këto, mua më bëri përshtypje qetsia e tij, në një kohë që na erdhi ai lajm dhe mendoja se Dom Simoni duhet të “flutronte” nga gëzimi.

Ç’farë biseduat me të?

Unë fillova ta ngacmoja duke i thënë: “Hëëëë Padre, u trëmbe…., s’ta mban të thuash asnjë fjalë…”?! Këto fjalë nuk ja thashë për ta ngacmuar në kuptimin e keq të fjalës, por për të mësuar nga ai ndonjë gjë më shumë, se ç’do të ndodhte pas kësaj.

Ç’farë ju tha Dom Simoni, si i’u përgjigj…?

Në kulmin e nervave, duke iu marrë goja më shumë se ç’i merrej kur ishte i qetë, ai m’u drejtua: “Nigjo këtu ti mor produkt i ‘45-ës. Pse po gzoi kot, tuj ulurit n’kup t’qiellit si t’marr?! Ka dek ky krimineli, dhe ka me ardh ai krimineli tjetër që asht ma i lik se ky, se asht ma i etun për pushtet dhe s’ka me nodh kurrgja”.

Pse ju tha juve “produkt i ’45-ës” dhe për kë e kishte fjalën “krimineli tjetër”, për Ramiz Alinë?!

Dom Simoni e kishte zakon që gjatë debateve e diskutimeve të pafund që bëheshin aty nëpër qelitë tona, neve që kishim lindur pas vitit 1945-së, pra pas ardhjes së komunistëve në pushtet, na quante “produkt i ’45-ës”, pra, që ishim rritur, edukuar e brymosur me ideologjinë komuniste. Kështu na drejtohej shpesh dhe ne nuk i’a merrnim për keq atë gjë, kurse “ai krimineli tjetër” e kishte fjalën për Ramiz Alinë.

Po pse, edhe Ramiz Alia konsiderohej si kriminel njësoj si Enver Hoxha në bisedat dhe diskutimet që bëheshin aty në burgun e Burrelit?!

Po shumë e konsideronin kriminel njësoj si Enveri, të tjerë e quanin disi liberal, pra kishte mendime dhe opinione nga më të ndryshmet për të. Dom Simoni si shkodran që ishte, e kishte njohur Ramizin që në rininë e tij, kur ai (Ramizi) kishte qenë nëxënës në gjimnazin e Shkodrës dhe gjithashtu dinte shumë për të. Po ashtu ai dinte nga ato që i kishin treguar Fadil Paçrami, i cili e kishte pasur Ramizin shok të ngushtë që nga gjimnazi i Shkodrës dhe deri ditën që ishte arrestuar, si dhe gjeneral Gjin Marku. Nisur nga këto, etj., Dom Simoni e quante Ramizin kriminel, njësoj si Enveri.

Ç’farë ju tha tjetër Dom Simoni?

Dom Simoni në kulmin e nervave, vijoi duke më thënë: “I kta janë të tanë njisoj, ik njeni dhe vjen tjetri, asgja nuk ka me nryshua, pasi edhe ky krimineli tjetër që do vij mas tij, po të njajtën rrugë ka me njek dhe të njejtën gja ka me ba. Do t’vij nji ditë që kta kanë me ra, se di kur, por do t’vij. Noshta dhe shpejt dhe do t’nryshojn gjanat, e asi hotelesh kunji si ai n’mes Tiranës (e kishte fjalën për 15-katëshin) do të nërtohem me dhjetra nëpër Shqipni, e shuuuumë e shuuuma ma t’mir e ma t’bukur se ai. Por me çka ka ba ky sistem tash katërdhet vjet, duhen t’paktën nja 50 vjet t’tjera, me nryshua mentaliteti i k’tij populli, që me besu n’zot, e me zbatu normat e rregullat e nji shoqnie, pa ushtrim dhunet, ashtu sikur e ka bota e shoqnie Prendimore. Se na rrim urt sa shikjojm policin, por sa dalim ma tutje, ku ai s’na sheh, veprojm prap sikur kemi veprua. Dhe ky asht problem ma i madh, pasi asht si ajo puna e tokës që edhe pse duket e bukur, nuk qet bim t’mira, por barna t’kqia, se ashtu i ka rranjt”.

Pra Dom Simoni, dukej mosbesues…?!

Dom Simoni ishte mosbesues në ndryshimin e mentalitetit të këtij populli dhe besonte shumë në rrëzimin e atij regjimi që thoshte se i kishte ditët e numëruara, edhe pse për Ramizin, thoshte se do të ndiqte të njëjtën rrugë si Enveri.

Kush ishte tjetër në qelinë tuaj nga emra të njohur dhe si vijuan më tej bisedat rreth asaj që kishte ndodhur, pra vdekjes së Enver Hoxhës?

Po ne ishim rreth 16-17 veta, në qelinë tonë. Po kujtoj qe ishin: Kurt Kola, Spartak Ngjela, Abdulla Sallaku, Spartak Bedri Spahiu, Bardhosh Bego Gjonzeneli nga Vlora, Mario Pistulli nga Shkodra, Fatos Kërluku, Nuredin Skrapari etj. Bisedat aty ishin nga më të ndryshmet dhe gjithsekush e interpretonte sipas mënyrës së tij atë ngjarje dhe se ç’farë do të ndodhte më pas, por pothuaj të gjithë ishin në një mëndje, se pas vdekjes së Enver Hoxhës, gjërat do të ndryshonin dhe do kishte një zbutje të situatës.

Po nga ana e komandës a j’ua komunikuan zyrtarisht lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës siç u veprua me ndërrmarjet e qëndrat e prodhimit, shkollat, etj.?

Jo jo asgjë, as atë ditë dhe as të nesërmen, nuk na u komunikua asgjë. Atë që kishte ndodhur ne e mësuam të nesërmen nëpërmjet gazetave “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” që na i sillnin çdo ditë, duke na i futur në qelitë tona dhe kush të donte i lexonte.

Pra me aq u mbyll ai lajm për vdekjen e Enver Hoxhës?

Asgjë tjetër nuk ndodhi përveç rritjes së gatishmërisë nga ana e komandë së burgut dhe forcimit të rregjimit të shërbimit të burgut. Çdo gjë iu kthye normalitetit e rutinës së zakonëshme dhe ne vazhdonim bisedat e diskutimet tona duke shpresuar në ndërrimin e situatës dhe lirimit nga burgu./Memorie.al/