“Do vras politikanët në Lezhë”/ Kush është 36-vjeçari i arrestuar me arsenal armësh, e denoncoi vëllai…

Antonio Leka, banues në Milot, është personi i arrestuar këtë të hënë nga Policia e Lezhës. Ai rezulton i dënuar më parë për  “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, ndërsa momentin e arrestimit atij u gjetën dhe sekuestruan një arsenal i tërë me armë luftarake.

“Do vras politikanët e Lezhës, dhe të zhduk farën e keqe të tyre”, ka deklaruar ai pasi është marë një pyetje nga oficerët e Lezhës. Bazuar në veprimet dhe deklarat e pakontrollueshme të të riut, burimet nga policia bëjnë të ditur se ai dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, mirëpo kjo do të vërtetohet nga një ekspertim i mëtejshëm.

Denoncimin ndaj 36-vjeçarit se lëviste me armë zjarri, e ka bërë vëllai i tij. Ky i fundit, më herët i ka kërkuar atij të dorëzojë armën dhe mos ta mbante në makinë, por pa mundur ta bindë. Pasi Antonio Leka u largua prej tij, i vëllai sinjalizoi menjëherë policinë se 36-vjeçari ishte i armatosur dhe mund të kryente ngjarje kriminale.

Brenda makinës së tij, policia sekuestroi arsenal armësh; një pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.