E kishin përfituar nga krimi, sekuestro pasurisë 2.1 mln euro dy rezidentëve zviceranë, njëri nga Kosova

Një vit hetime nga Policia e Shtetit është finalizuar mëngjesin e sotëm me sekuestrimin e pasurisë me vlerë 2.1 milion euro të përfituar nga veprimtaria kriminale të dy shtetasve zvicerianë me rekorde të theksuara kriminale.

Ata janë Hasan Lushi me origjinë nga Kosova, banues në Zvicër dhe Ryszard artur szylak me origjinë nga Polonia, banues në Zvicër.

Njoftimi i plote

Finalizohet operacioni policor “Asetet”, për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale. Finalizimi i operacionit, pas një viti hetimesh intensive dhe komplekse.

Vendosen sekuestro preventive ndaj pasurive të 2 shtetasve të huaj, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën 2.1 milionë euro.

Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor “Asetet”, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në funksion të procedimit penal të regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas provave të grumbulluara gjatë një viti hetimi, finalizoi operacionin policor të koduar “Asetet”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në ngarkim të shtetasve:

-H. L., 50 vjeç, lindur në Junik, Kosovë dhe banues në Olten, Zvicër;

-R. (A.) S., 47 vjeç, lindur në Poloni, dhe banues në Olten, Zvicër;

-H. L. është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.

Shtetasi R. (A.) S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.

Në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit  “Asetet”, u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 2.1 milionë euro, konkretisht:

3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;

Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;

Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;

6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit;

Vijon puna për të zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.