Ekspozitë personale në Galerine e Arteve, Shkodër nga artisti Genti Tavanxhiu i njohur ndërkombëtarisht…

Kjo ekspozite vjen për herë të parë në qytetin e Shkodrës duke sjell me vete veprat e realizuara në katër vitet e kaluara.

Prolog

Këtë ekspozitë ia kushtoj Profesorit dhe artistit të përmasave ndërkombëtare, i cili lartësoi shpirtin artistik shqiptar të arealit botëror, Lin Delisë.

ES-i   –   Pavetëdija, Dosja e Memories

Në Galerinë e Arteve të qytetit shkodran, ekspozita personale me titull ES, vjen për herë të parë mes jush e mbarsur me udhëtimet reale dhe alegorike, që gurgullojnë nga mbamendja dhe energjia mahnitëse e imagjinatës.

Ndërthurja shumë-formëshe e shprehisë artistike, si skulptura në gur, dru, apo pikturat në letër dhe pëlhurë, janë boshti qëndror i kësaj ekspozite. Kësisoj, shpalosja e imazheve lehtëson te publiku leximin e qartë dhe pa ngurrim duke përkthyer një bote intime në lidhje të ngushtë me simbolikën e qytetit shkodran. Ato janë të pandashme nga njëra-tjetra, por rrëshqasin ashtu si prekja e një peneli nga vepra në vepër duke përcjell joshje tek shikimet dhe perceptimet ideoemotive të vëzhguesit të mprehtë.

Temat e trajtuara kanë larminë dhe brishtësinë e kërsherisë ngadhë njyese. Yshtja për të rrëmuar skutat e kujtesës zgjon tek artisti domosdoshmërinë për qasjen mes realitetit psiqik dhe atij konkret. Miniera e pavetëdijes e grishë artistin të gërmojë, atje ku kozmosi i fantazisë dhe jehonat e ëndrrave shpleksen në forma thekëse! Magnetizimi burimor dhe zhdërvjellësia artistike në materializmin e botës platonike të ideve, shpien artistin në vetë realizimin e plotë artistik.

Genti Tavanxhiu u lind në Shkodër, më 9/11/1973. Rrugëtimi i tij artistik tashmë njihet në arenën ndërkombëtare, ku ka fituar çmime dhe admirime duke realizuar vepra monumentale dhe ekspozita të vyeshme të artit bashkëkohor.

Rikthimi në qytetin e lindjes përbën për të një ndjesi dhe patos të posaçëm.

18-30 Qershor 2022, ora 19:05