Elbasan/ Burri godet me thikë gruan, ndërhyn fqinji. Plagosen të dy…

Dy persona mbetën të plagosur me thikë këtë të enjte në Elbasan. Sipas burimeve të gazetarit Fatos Salliu, një burrë plagosi me thikë bashkëshorten dhe fqinjin e tij në lagjen 28 Nëntori.

Gjithnjë sipas të dhënave të para që sjell gazetari, autori dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Burime nga spitali thonë se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se fqinji ka mbetur i plagosur pasi ndërhyri për të shpëtuar gruan nga dhuna e bashkëshortit.

Në lagjen “Dyle Haxhiri”, Elbasan, shtetasi E. K., 55 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. K., 50 vjeçe, si dhe fqinjin e tyre, shtetasin E. S., 64 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka ndërhyrë për të ndaluar shtetasin E. K.

Të dy të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Falë reagimit të menjëhershëm nga ana e Policisë është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. K., në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.