EMRAT/ Arrestohen dy biznesmenë në Tiranë…

Dy në pranga dhe dy në kërkim është rezultati i operacionit policor të koduar “Chiller” nga Policia e Tiranës. Personat në fjalë akuzohen për mashtrim e falsifikim dokumentesh, për shkelje në punimet që ishin kontraktuar për të kryer në 2021-n, në prokurorinë e Elbasanit.

Të arrestuarit janë Ardian Lloshi, 48 vjeç, dhe Ibrahim Dragoshi, 59 vjeç, të dy banues në Tiranë, administratorë në dy subjekte të ndryshme. Ndërsa në kërkim u shpallën Ded Maluta, 60 vjeç, banues në Pukë, dhe Vladimir Maluta, 47 vjeç, banues në Tiranë.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në subjektet që administrojnë, kanë kryer shkelje për punimet që janë kryer në godinën e një institucioni, konkretisht në sistemin e kondicionimit dhe të kaldajës, të cilat kanë rezultuar me defekt dhe jashtë përdorimit pasi janë instaluar”, tha policia e Tiranës në njoftimin e saj për mediat.

Ndërkohë në njoftimin e prokurorisë, sqarohet se “në vitin 2020 në sistemin e ftohjes të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, janë konstatuar disa problematika që kanë pasur të bëjnë me mosfunksionimin e aparaturës Chiller të instaluar nga subjekti ndërtues (nënkontraktor). Nga disa verifikime dhe të dhëna paraprake të marra nga specialistë të fushës ka rezultuar se pajisja në fjalë kishte dalë nga funksionimi.

Në vijim të hetimeve, janë konstatuar nga firma ndërtuese punime të faturuara që nuk janë kryer realisht, instalime të pajisjeve të kondicionimit me fuqi më të ulët se preventivi dhe nevojat e ngrohje-ftohjes së godinës etj Këto shtetas kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke përfituar dhe duke sjellë një dëm prej 3.569.714.29 lekë dhe në këto kushte ata kanë konsumuar elementet e veprës penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal të kryer në bashkëpunim”.