EMRAT/ Xhup me mbishkrimin “POLICIA” dhe armëmbajtje pa leje, arrestohen pesë persona në Kurbin, sekuestrohen shtatë kompjutera dhe një pistoletë…

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kurbinit, pasi akuzohen për një serë veprimtarish kriminale, nga trafiku i narkotikëve, armëmbajtja pa leje e deri te ushtrimi i paligjshëm i lojërave të fatit.

Bëhet me dije se në pranga kanë përfunduar shtetasit: Genti Suti, të cilit iu gjet nje pistoletë, Jetlir Markaj, i cili u kap me motorr pa leje e me bluzë me mbishkrim “policia”, Altin Mihana dhe Alket Lika, të cilët ishin në një lokal të përshtatur për lojërat e fatit, si dhe Dritan Peka, i dënuar më parë dhe i shpallur në kërkim.

Ndërkohë pas kontrolleve të ushtruara nga policia, janë gjetur dhe  sekuestruar  7 kompjutera që përdoreshin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe një armë zjarri pistoletë.

Njoftimi i Policisë:

Kurbin/ Kontrolle të vazhdueshme, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në të gjitha format e shfaqjes së tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Terreni”, për goditjen e një sërë veprimtarish kriminale.

Si rezultat, vihen në pranga 5 shtetas.

Sekuestohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 7 kompjutera që përdoreshin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i kontrolleve intensive në terren, 24/7, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Terreni”.

Si rezultat i këtij operacioni, janë vënë në pranga shtetasit:

-G. S., 44 vjeç, banues në Kurbin, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushat e narkotikëve dhe vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

44-vjeçari u kap në Laç, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. S., shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi municioni luftarak;

-A. M., 37 vjeç, banues në Milot dhe A. L., 49 vjeç, banues në Mamurras, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që administronin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën 7 kompjutera që përdoreshin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari të kundërligjshme;

-D. P., 34 vjeç, banues në Kukës, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushat e narkotikëve dhe vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 1 muaj burgim, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;

-J. M., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar një motomjet, pa leje drejtimi dhe të papajisur me dokumentet përkatëse. Gjithashtu, 34-vjeçari, në momëntin e arrestimit, mbante veshur një xhup me mbishkrimin “Policia”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.