Fshati që dalëngadalë po “shuhet”/ Grudë-Fusha me 6 shtëpi ku banojnë vetëm 10 pleq…

Vetëm 13 km nga Shkodra ndodhet fshati Grudë-Fushë i cili bën pjesë në territorin e bashkisë Malësi e Madhe. Deri dy dekada më parë në këtë fshat banonin mbi 100 familje, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 6 shtëpi të banuara ku jetojnë vetëm 10 pleq. Njëri prej tyre është Dan Çokaj rreth 85 vjeç i cili tregon se varfëria në fshat është ulur këmbëkryq.

Në gjendje jo fort të mirë shëndetësore ai bashkë me bashkëshorten mbijetojnë me të ardhurat që marrin nga pensioni. Të gjendur përballë papunësisë, vështirësive për të përballuar jetesën, brezi i ri ka zgjedhur të largohet duke parë si të vetmin shpëtim emigracionin. Në gusht të një viti më parë një zjarr i rënë në orët e vona të natës do të shkaktonte një situatë që nuk kishte ndodhur më parë. 20 shtëpi, 4 prej të cilave të banueshme do të digjeshin plotësisht në këtë fshat, ku flakëve nuk i shpëtuan as varrezat .

Përveç varfërisë që ka mbuluar fshatin Grudë-Fushë, gjendja e banorëve është më e rëndë si pasojë e zjarrit që nuk kurseu asgjë. Dikur në rrugët e këtij fshati kishte gjallëri, e sot gjithçka ka ndryshuar. Shtëpi të braktisura, ndërtesa të rrënuara, porta të mbyllura që presin një ditë të hapen.