Futbolli italian në zi, shuhet ish-trajneri kampion i Interit

Shuhet në moshën 81-vjeçare Luigi Simoni. Ai luajti futboll si mesfushor fantazist, duke u aktivizuar me skuadra si Juventusi, Torino dhe Napoli.

Me këta të fundit fitoi Kupën e Italisë në vitin 1962. Simoni ishte i njohur edhe si trajner, dhe drejtoi 16 skuadra gjatë karrierës së tij.

Kulmin e arriti tek Interi. Vetëm një vit qëndroi Simoni në stolin zikaltër, në sezonin 1997-1998, duke ia dalë të fitojë Kupën UEFA me skuadrën ku aktivizohej Ronaldo. Edhe titulli kampion ishte shumë afër, por gabimet arbitrare në duelin Juventus-Inter ndikuan që trofeu të shkonte në Torino.

Ai ka edhe një rekord sa i përket dërgimit të skuadrave në Serie A. Plot shtatë herë ia ka dalë të kalojë skuadrat nga Serie B në Serie A: nga dy herë ekipet e Genoas dhe Pisas dhe nga njëherë Brescia, Cremonese dhe Ancona.

Simoni vuante nga një sëmundje prej qershorit të vitit të kaluar dhe sot humbi betejën përfundimtare me të, pikërisht në një datë të shënuar për popullin interist, që feston 10-vjetorin e Tripletës së fituar me Jose Mourinhon në stol.