Greqia planifikon të rrisë ujërat e saj territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis njoftoi se planifikojnë të rrisin ujërat territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje.

Mitsotakis foli në seancën në Parlamentin e Greqisë ku u diskutuan marrëveshjet për Zonën Ekskluzive Ekonomike të arritur me Italinë dhe Egjiptin.

Duke mbrojtur idenë e tij se “kanë të drejta të padiskutueshme sovrane” në rajonin detar nga ishujt e Detit Jon e deri në majën e Gadishullit të Peloponezit (Morea) sipas nenit 3 të Konventës për të Drejtat Detare, Mitsotakis tha se “Sa më e fortë të jetë Greqia në terren, aq më e fortë ndihet në tryezën e bisedimeve”.

Më tej Mitsotakis ka pretenduar se “Greqia është rritur” dhe ka shprehur se “Së shpejti në Parlament do të paraqesim projektiligjin i cili parashikon rritjen nga 6 milje në 12 milje të ujërave tona territoriale në Detin Jon”.

Mitsotakis i përshkroi me një “rëndësi historike dhe politike” për Greqinë marrëveshjet për Zonën Eksluzive Ekonomike me Italinë për Detin Jon dhe atë me Egjiptin për Mesdheun Lindor, duke pretenduar se vendi i tij “në të ardhmen mund të përdorë të drejtën e saj për të zgjeruar ujërat e saj territoriale për zonat e tjera detare”.

Votimi i cili ishte planifikuar të kryhej sot në Parlamentin grek për marrëveshjet e Zonës Ekskluzive Ekonomike me Egjiptin dhe Italinë është shtyrë për ditën e nesërme në kuadër të masave kundër koronavirusit (COVID-19).

Qeveria e Athinës bëri marrëveshje të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Italinë më 9 qershor dhe me Egjiptin më 6 gusht.

“Për Turqinë janë të pavlefshëm”

Ministria e Jashtme e Turqisë, lidhur me marrëveshjen e Greqisë me Egjiptin për Zonën Ekskluzive Ekonomike ka deklarur se “E ashtuquajtura marrëveshje që është njoftuar se është nënshkruar për kufizimin e juridiksioneve detare në fjalë është e pavlefshme për Turqinë. Ky qëndrim i yni do të vendoset në tryezë dhe në terren”.

Marrëveshja e ashtuquajtur që u nënshkrua mes qeverive të Kajros dhe Athinës u miratua më 18 gusht nga Komisioni Kushtetues dhe Legjislativ i Parlamentit të Egjiptit.

Këto marrëveshje u paraqitën në Parlamentin grek për shqyrtim nga komisionet para votimit javën e kaluar.

Pushteti ka shumicën absolute

Partia në pushtet, Partia Demokracia e Re ka shumicën absolute me 158 deputetë në Parlamentin e Greqisë me 300 vende. Partia kryesore opozitare Syriza ka 86, Partia Lëvizja për Ndryshim 22, Partia Komuniste e Greqisë 15, Partia për Zgjidhje e Greqisë 10 dhe partia “MeRA25” ka 9 vende në parlament.

Edhe sikur të parashikohet që partitë opozitare do të votojnë “kundër” ose do të “abstenojnë” për marrëveshjet e Zonës Ekskluzive Ekonomike të arritur me Egjiptin, pritet që marrëveshja të kalojë në parlament me votat e partisë në pushtet e cila ka shumicën absolute.