I dënuar për vrasjen e komisarit Arben Zylyftari, ekstradohet nga Gjermania Genc Tafili…

Ekstradohet nga Gjermania Genc Tafili, i shpallur në kërkim për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari në Shkodër në vitin 2000.

Tafili u arrestua nga policia gjermane më 4 janar 2022  në aeroportin e Frankfurtit, nga ku do të udhëtonte për në Stamboll.  Burim për ABC bëjnë me dije se Tafili u ekstradua drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh.

Lirimi i Genc Tafilit

Tafili u lirua nga qelia me vendim të gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha në 7 nëntor të vitit 2017, pas 17 vitesh pas hekurave për vrasjen e Zylyftarit. Ai la qelinë kur i kishin mbetur edhe tetë vite pa kryer nga dënimi.  Pas lirimit ai u largua nga Shqipëria.

Por, në maj të 2021, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e gjyqtares Enkelejda Hoxhës duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Kjo e fundit tashmë ndodhet pas hekurave me urdhër të SPAK, me akuzën e përfshirjes në korrupsion për lirimin e të dënuarve pa përmbushur dënimin.

Si u vra Arben Zylyftari

Arben Zylyftari u vra më 2 gusht të vitit 2000 , kur policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit. Ky i fundit, peshkatar në zonë, ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë për vrasjen e Skënder Gecit.

Gjatë operacionit të organizuar nga policia e Shkodrës pati shkëmbim zjarri mes palëve. Për pasojë, mbeti i vrarë drejtori i Policisë Arben Zylyftari, si dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Po atë ditë kur u vra Arben Zylyftari, policia arrestoi Genc Tafilin, duke e akuzuar atë për vrasje në bashkëpunim.