Incidenti i rëndë para fushatës, hidhet në erë me tritol makina e kreut të PD-së në Vaun e Dejës…

Është hedhur në erë me tritol gjatë natës makina e kryetarit të PD-së në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca.

Ky i fundit është zgjedhur kryetar i PD-së për Vaun e Dejës, pas zgjedhjeve të Rithemelimit, dhe ka qenë në krah të kandidatit Zef Hila për zgjedhjet e ardhshme të 14 Majit.

Si pasojë e shpërthimit të makinës ka vetëm dëme materiale.

Burime bëjnë me dije se mjeti ka shpërthyer sapo Ndreca ka hipur ne makinë, por fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.

Vau i Dejës është një nga bashkitë e pakta ky opozita e përçarë kandidon me dy emra. Nga Rithemelimi kandidon Zef Hila, i cili ka mbajtur dhe mandatin e deputetit, si dhe ka qenë më herët në krye të Bashkisë.

Dhe nga ana tjetër kandidon Klomentina Drini, e cila nuk ka marrë as mbështetjen e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë, të propozuar në listë nga PD-ja zyrtare.

“Ne, kandidatët për këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau Dejës, duke falënderuar Kryesinë e Degës dhe strukturat e PD, Dega Vau Dejës, për besimin dhe mbështetjen, shprehim qëndrimin tonë lidhur me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023:

Ne sot, me anë të kësaj deklarate, shprehim hapur mbështetjen tonë për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” z. Zef Hila.

Ne distancohemi nga çdo kandidaturë personale e kujtdo qoftë ajo, përfshirë edhe të kryetarit të komanduar të PDSH-së, për sa kohë kjo kandidaturë është nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit, që të bashkuar të mbështesim kandidatin e përbashkët të demokratëve, z. Zef Hila dhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Zef Hila është ish-kryebashkiaku jonë, është Deputeti ynë, është njeriu më i votuar dhe më i mbështetur i kësaj zone, dhe po ashtu edhe në listen tonë për këshilltarë bashkiak janë përfshirë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë e me integritet, me kontribute për komunitetin tonë, e të gjithë  janë të gatshëm për të punuar me përkushtim dhe me besim, për fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak dhe të z. Zef Hiles si kryetar i ardhshëm i Bashkisë Vau Dejës me 14 Maj”, thuhej në deklaratën e tyre të shpërndarë për mediat gjatë ditës së djeshme.