Mbyllen negociatat për Reformën Zgjedhore, drafti përfundimtar shkon në Kuvend

Bashkëkryetari i reformës zgjedhore dhe anëtari i maxhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i ka përcjellë Kuvendit draftin final për reformën zgjedhore. Negociatat politike janë mbyllur mbrëmë me disa ndryshime në amendamente.

Amendamenet janë ndryshuar në lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së dhe listën e deputetëve. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor vijnë pas arritjes së dakordësisë me opozitën.

Po ashtu është përcaktuar mënyra sesi do të mundësohet vota e emigrantëve.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 1009, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Repubikës së Shqipërisë” përbën ndërhyrjen legjislative në ligjin zgjedhor me synim plotësimin dhe zbatimin e kushteve të dakortësuara në marrveshjen politike të datës 5 qershor 2020, të nënshkruar ndërmjet mazhorancës qeverisëse dhe partive politike të opozitës jashtëparlamentare dhe asaj parlamentare.

“Një ligj zgjedhor, sado i arrirë në përmbajtjen e vet, nuk mund të realizojë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare në rast se mungon gatishmëria dhe vullneti politik i aktorëve pjesëmarrës në garë për një gjë të tillë. Po ashtu, edhe në rast se arrihet një vullnet i plotë politik nuk do të mund të realizohen zgjedhje sipas standardeve në rast se mungon një bazë ligjore koherente, e plotë dhe e saktë për organizimin e procesit elektoral në vend.
Projektligji që po paraqitet për shqyrtim dhe miratim mundëson dakordësinë politike të palëve për rregullat e lojës në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të radhës, duke garatuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë aktorëve të jetës politike në Shqipëri”, shkruhet në relacion.

Më tej shtohet:

“Nga ana tjetër, ky konsensus ngrihet me propozime për përmirësime mbi një Kod Zgjedhor ekzistues, i cili është certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë të specializuar në fushën e zgjedhjeve si Kod që respekton praktikat demokratike dhe legjislacionin ndërkombëtar të zgjedhjeve. Gjithsesi, në një sërë zgjedhjesh në Shqipëri janë paraqitur rekomandime për çështje dhe aspekte të veçanta që kanë nevojë për amendime dhe të cilat janë vendosur në planin e punës së Këshillit Politik, dhe të gjithë institucioneve të tjera vendimmarrëse në Shqipëri. Projektligji i paraqitur për shqyrtim dhe miratim përbën vetëm fazën e parë të procesit të dakordësuar me anëtarëve të Këshillit Politik për reformimin e bazës ligjore për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Projektligji i depozituar ka si premisë kryesore të tij realizimin e atyre ndërhyrjeve emergjente në Kodin Zgjedhor që realizojnë/reflektojnë dakordësinë më të gjerë politike dhe mundësojnë besimin politik tek dy proceset zgjedhore të radhës, që do të zhvillohen me këtë bazë ligjore të ndryshuar. Palët politike pjesëmarrëse në Këshillin Politik kanë rënë dakord për të vijuar edhe fazën e dytë të reformimit të legjislacionit zgjedhor dhe ligjeve të tjera të lidhura me të, duke përcaktuar edhe modalitetet e realizimit të një detyrë të tillë. Për këtë gjë është rënë dakort që puna, mbi bazën e konseusit më të gjerë të spektrit politik në vend, të vijojë me hartimin e një ligji të ri zgjedhor, që do të reflektojë plotësisht rekomandimet e dhëna ndër vite nga OSCE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Ky proces do të plotësohet edhe nga nisma të tjera legjislative që janë po aq të nevojshme në Shqipëri si psh ligji i ri “Për partitë politike” dhe ligji i ri “Për financimin dhe kontrollin e financimit të partive politike”.

DAKORDËSIMET E ARRITURA NË KËSHILLIN POLITIK

Në bazë të drafit  të arritur në Këshillin Politik, maxhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për shumë nga pikat që janë diskutuar në muajt e fundit. Sipas drafit të dorëzuar në Kuvend nga Gjiknuri bëhet me dije se është arritur konsensusi për:

Kuotat gjinore, ku gratë do të kenë jo më pak se 30% përfaqësim; identifikimin elektronik, ku të gjithë zgjedhësit do të identifikohen në bazë të pajisjeve elektronike; shpenzimin në fushata, ku thuhet se subjektet zgjedhore përfitojnë financime publike dhe jopublike në mbështetje të fushatës së tyre, sipas dispozitave ligjore përkatëse; ndalimin e votimit familjar, i cili do të dënohet në bazë të ligjit; rolin e Policisë së Shtetit, e cila do të garantojë paanshmëri të plotë ndaj subjekteve zgjedhore.

Koha zgjedhore, zgjedhjet do të zhvillohet mes prillit dhe majit, ose tetorit dhe nëntorit; krijimi i KQZ0s së re, e cila do të ketë organet drejtuese të saj janë: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Votimi i Diasporës: KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë. KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit

Kolegji zgjedhor: Kolegji Zgjedhor Gjyqësor përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nga rradhët e gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses, me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, sipas ligjit nr. 84/2016, nga gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit të Republikës së Shqipërisë, gjykatat administrative të shkallës së parë dhe Gjykata Administrative e Apelit Tiranë. Përjashtohen nga shorti gjyqtarët e Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.