“Mësues i Popullit”/ Hafiz Abaz Golemi, Drejtor i parë i shkollës shtetërore të Parrucës (1913-1925)…

Hafiz Abaz Golemi (1870-1925) MËSUES I POPULLIT (1993) Drejtor i parë i shkollës shtetërore të Parrucës (1913-1925).

Personaliteti fetar, atdhetar, kulturor dhe arsimor i H. Hafiz Abaz Golemit është i lidhur ngushtë me traditën e shquar të krijuar në qytetin e Shkodrës nga mendimtarë dhe patriotë të nderuar të shek. XIX.

Arsimi

Abaz Golemi (Xhudi) lindi në Shkodër në vitin 1870. Mësimet e para i mori në shkollën “Ruzhdije” e pastaj alitete Shqiptare të Kulturës Islame në Medresenë e Pazarit, e cila ka qenë një shkollë e vjetër fetare, kulturore dhe atdhetare. Biblioteka e saj e pasur me vepra fetare, letrare dhe shkencore, si dhe mësuesit e ditur përçonin te nxënësit edukatën e lartë dhe diturinë e thellë. Në mjediset e kësaj medreseje zhvillonte mbledhjet Komiteti Drejtues i Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën. Ky mjedis patriotik brumosi edhe studentin e ri. Ai ishte gjithnjë i drejtë dhe shumë kërkues, i dashur dhe i rreptë, si dhe shembullor në sjellje e në marrëdhënie me njerëzit.

Studimet i plotësoi në Stamboll, ku kreu Medresenë e Përgjithshme, mori titullin “Myderriz” e më pas kreu Medresenë e Lartë Pedagogjike dhe 4 vjet Universitetin Pedagogjik. Pas përfundimit të studimeve iu përkushtua detyrave fetare dhe arsimore në qytetin e lindjes. Që në vitin 1895 emërohet mësues i persishtes dhe i besimit në shkollën qytetëse, më vonë në gjimnazin dhe normalen e Shkodrës, detyrë që e vazhdoi deri në vitin 1912.

Përveç persishtes, zotëronte arabishten, osmanishten, frëngjishten, italishten dhe serbo-kroatishten. Kultura e gjerë ia rriti vlerën te kolegët dhe ia zbukuroi karakterin.

Veprimtaria

Në vitin 1913 Hafiz Abaz Golemi do të gjendej mes vullnetarëve shkodranë të udhëhequr nga Valiu i fundit osman danti trim Hasan Riza Pasha, në mbrojtje të qytetit nga sulmi dhe rrethimi serbo-malazez.

Në vitin 1913 Komisioni Arsimor i Bashkisë, i kryesuar nga Xhemal Naipi, kadi i Shkodrës në atë kohë, hapi tri shkolla shtetërore: Shkolla Popullore me drejtor Gaspër Mikeli, e Rusit me drejtor Molla Medo Sukniqi dhe e Parrucës me drejtor H. Hafiz Abaz Golemi. Shkolla e Parrucës mbahej me fondet shtetërore që paguante pushteti lokal dhe i administronte Komisioni Arsimor i ngritur pranë bashkisë dhe i cili është drejtuar nga personalitete të shquara islame, si Xhemal Naipi, Hysejn ef. Vuthi, Hafiz Ibrahim Repishti, Mustafa Kruja etj. Që nga viti 1913 kur u krijua e më vonë, anëtarë të këtij komisioni kanë qenë H. Hafiz Abaz Golemi, At Gjergj Fishta, Gaspër Mikeli, Sheuqet Muka, Rrustem Llopçi etj.

Shkolla e Parrucës filloi punën si shkollë qytetëse me katër klasë të gjimnazit të ulët, në vazhdim të gjimnazit dhe normales osmane të mbyllur në vitin 1912. Ajo fillimisht përdori programe franceze, dokumentacion në osmanisht dhe mësimin në gjuhën shqipe. 

Shkolla e Parruces, Shkoder

H. Hafiz Abaz Golemi ka qenë gjithnjë drejtor i kësaj shkolle, në të gjitha rastet, kur ishte gjimnaz i ulët (1913-1916), shkollë fillore (1916 1918), shkollë qytetëse ose shkollë plotore me 6 klasë. Ai punoi si drejtues në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe politike për vendin, i cili dilte nga një luftë dhe hynte në një tjetër. Ai mori pranë vetes djem të zgjedhur të familjeve më të nderuara të qytetit, duke nxitur interesin për mësimin e diturinë. Nga këta nxënës më vonë dolën shumë intelektualë të shquar, si drejtorë shkollash ku mund të përmendet: Shefqet Muka, Hamdi Bushati, Ismail Anamali, Halim Shpuza, Rexhep Kruja, Mehmet Gjyli, Hasan Tahsini, Jonuz Buliqi, etj.

Hafiz Abazi nxiti hapjen e shkollave fillore për vajza, duke nxitur për mësuese Hajrije Krajën dhe dy motrat e saj. Në Kongresin Arsimor të vitit 1924, nga 7 delegatë të Shkodrës, 4 ishin nga mësuesit e shkollës së Parrucës, të cilët do të hartonin tekstet mësimore për shkollat fillore të vendit tonë. Studiuesit Dok. Hon. Causa Faik Luli, Prof. Islam Dizdari dhe Nexhmi Bushati dëshmojnë për qindra dokumente, shkresa dhe raporte vjetore, të cilat flasin për punën e madhe të Hafiz Golemit për ngritjen dhe mbajtjen në këmbë të shkollës së Parrucës.

Ai komunikonte vazhdimisht me nxënësit dhe me prindërit për çdo problem të tyre, si dhe me shkresa me Inspektorin e Arsimit, me Bashkinë, Prefekturën dhe deri me Ministrinë e Arsimit. Hafiz Abaz Golemi merrte vlerësime nga të gjitha raportet që bëheshin nga Prefektura e Shkodrës për Arsimin dhe dërgoheshin në Ministrinë e Arsimit.

H. Hafiz Abaz Golemi ndërroi jetë më 16 nëntor 1925 pas 30 vjet pune të pareshtur në arsim dhe 12 vjetëve të fundit si drejtor i shkollës së Parrucës. Lajmin e vdekjes së tij do ta njoftonte në autoritetet lokale dhe në Ministrinë e Arsimit edhe Gaspër Mikeli, inspektor i arsimit, i cili urdhëronte të merrnin pjesë mësuesit e shkollave të qytetit, si dhe nxënësit e tyre. Në ceremoninë mortore nuk munguan as mësuesit e shkollës françeskane.

Varrimi u bë ashtu siç e meritonte ai hoxhë dhe mësues i ditur, predikues i zellshëm i besimit islam dhe i virtyteve më të mira morale, atdhetar i shquar, themelues i shkollës së Parrucës, njërës nga shkollat më të vjetra shtetërore në Shqipëri, që nën drejtimin e tij u bë një nga shkollat jo vetëm më të mira të Prefekturës së Shkodrës, por edhe të gjithë Shqipërisë.

Vula e Hafiz Abaz Golemit

Për të gjitha këto, më 19 qershor 1993, me rastin e 80 vjetorit të shkollës së Parrucës, sot shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër, Presidenti i Republikës i asaj kohe Prof. Dr. Sali Berisha i akordoi Haxhi Hafiz Abaz Golemit, drejtorit të parë të kësaj shkolle për 12 vjet, titullin e lartë “MËSUES I POPULLIT’ me këtë motivacion:

“Mësues dhe drejtor i shquar që punoi me pasion tërë jetën për edukimin dhe formimin moral e qytetar të nxënësve, për ngritjen e përparimin shoqëror, shembull devotshmërie e përkushtimi ndaj idealeve njerëzore për mirëkuptim, bashkëpunim e drejtësi shoqërore, që themeloi e drejtoi plot autoritet shkollën e Parrucës në agimet e arsimit tonë shtetëror.”/RealitetiPost/

(Marrë nga libri “100 personalitete shqiptare të kulturës Islame)

Pergatiti: Medin Guri