Ministrja e Arsimit jep njoftimin e rëndësishëm: Një mijë mësues shtesë për të përballuar nevojat gjatë pandemisë së COVID-19

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ditën e sotme ka njoftuar se do të punësohen edhe 1,000 mësues të tjerë në të gjithë Shqipërinë.

Sipas saj ky vendim është marrë si qëllim për të përballuar pandeminë e Covid-19.

Ajo ka shtuar se sa më rigorozë të jemi aq më e lehtë do të bëhet edhe sfida  jonë e përbashkët për të kujdesur për shëndetin e nxënësve, mësuesve, prindërve e kujtdo tjetër.

Postimi i plotë:

1,000 mësues shtesë për të përballuar nevojat për punonjës arsimorë gjatë periudhës së pandemisë në vitin shkollor 2020-2021, u miratua sot me vendim të Këshillit të Ministrave.

Me këtë lajm e nisa sot takimin me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe zyrave vendore arsimore, me të cilët diskutuam mbi mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe zgjidhjen e shqetësimeve të shfaqura gjatë kësaj periudhe.

Në këtë kuadër, i falënderova për përballimin me sukses të nisjes së vitit të ri shkollor dhe kërkova që akoma me më tepër përkushtim të mbajnë në vëmendje maksimale respektimin e masave anti-COVID në çdo institucion arsimor, si dhe të shtojnë përpjekjet dhe inspektimet në terren në mënyrë që të garantohet se #rregullat zbatohen nga të gjithë.

Sa më rigorozë që të jemi në këtë aspekt, aq më e lehtë do të bëhet edhe sfida jonë e përbashkët për të kujdesur për shëndetin e nxënësve, mësuesve, prindërve e kujtdo tjetër, dhe njëkohësisht të sigurojmë mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë vit jo të lehtë shkollor.