Nano me ekipin e Guardia di Finanzia, 3 orë fluturime monitoruese për kanabis në Veri të vendit…

Prej datës 1 maj, paralelisht me kontrollin në terren nga strukturat e Policisë së Shtetit, ka nisur monitorimi ajror edhe nga Guardia di Finanzia, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Së bashku me GDF ishte edhe drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano ku për 3 orë, monitoruan nga ajri, me helikopter të pajisur me aparatura speciale, zonën veriore të vendit.

Gjatë monitorimit u verifikuan, në zona të thella si Dukagjin, Theth, Valbonë, Muriqan, Malësi e Krujës etj, koordinata në të cilat kishte dyshime se kultivoheshin bimë narkotike.

Gjithashtu, u ndoq dhe u verifikua një mjet lundrues, i cili nuk kishte sende të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim.

Ndërkohë, kreu i policisë Gledis Nano tha se ky aksion ishte për të treguar goditjen e problematikës së kultivimit të kanabisit në vendin tonë.

Nano: Ne, sot, zhvilluam një fluturim monitorimi, bashkë me kolegët e “Guardia di Finanza”, kryesisht në zonën veriore të vendit. Pjesëmarrja ime në këtë fluturim nuk ishte thjesht për t’i falenderuar kolegët italianë që punojnë për të na mbështetur në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për t’iu treguar të gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe vendosmërinë time personale, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, po ashtu edhe të të gjithë efektivëve, në lidhje me goditjen e problematikës së kultivimit të kanabisit.

Dua t’i falenderoj kolegët e “Guardia di Finanza”, si ekuipazhin e helikopterit ashtu edhe kolegët e tjerë, që monitorojnë nga qendra e kontrollit të gjitha fluturimet dhe vendndodhjet e vendeve, të dyshuara si pjesë e kultivimit të kanabisit, janë një skuadër profesionistësh dhe për këtë unë falënderoj kolegët e Interforce, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane dhe Ministrinë e Brendshme italiane, e cila na ka ofruar këtë mundësi, për të lokalizuar me teknologjinë më të fundit që mjeti fluturues, helikopteri, që kemi pas shpine, mban me vete.