Nis puna në aksin Velipojë- Shëngjin/ Banorët e fshatit Rrjoll: Shpresojmë që të ketë ndikim pozitiv në turizëm…

Gati një vit pas ndërprerjes së punimeve për shkak të problemit të shpronësimeve, në rrugën Shëngjin-Velipojë është rikthyer puna .

Tashmë është miratuar nga  Këshilli i Ministrave vendimi për shpronësimin pronarëve që preken nga realizimi i projektit, ndërtimi i rrugës Shëngjin-Baks-Rrjoll. Lajmi për pjesën e shpronësimeve u bë e ditur pak kohë më parë nga vetë deputetja e qarkut të Shkodrës Edona Bilali sipas së cilës kjo rrugë është një hap më afër realitetit. Banorët e fshatit Rrjoll në Velipojë janë të kënaqur me punën që po bëhet dhe shpresojnë që ndërtimi i rrugës të ketë ndikim në zhvillimin e tuirizmit.

Ndërkohë edhe për pushtetin vendor rruga Shëngjin-Velipojë shikohet si një prioritet e cila do të shkurtojë distancën prej rreth 65 km në 15 km  dhe kohën e udhëtimit në 15 minuta.

Kjo rrugë, e cila lidh dy plazhet më të mëdha ranore të Veriut, do të sjellë një hov të madh zhvillimi ekonomik për të dy zonat. Rruga që i ngjitet shpatit të malit 100-120 metra mbi nivelin e detit, vijon deri në Baks Rrjoll për të zbritur më pas drejt Velipojës. Përgjatë të gjithë gjatësisë, rruga Shëngjin – Velipojë ruan të paprekura plazhet e Shëngjinit, Ranës së Hedhun, Rrjollit, apo peisazhet natyrore si Laguna e Vilunit.