Policia shkon në bregdet! Arrestohen dy biznesmenë, procedohet një tjetër. Kishin vendosur shezlongë në plazh…

Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh në Durrës, në vijim të kontrolleve për lirimin e plazheve nga shezlogët e vendosura pa leje dhe në kundërshtim me Aktin Normativ për situatën e krijuar nga COVID-19, konstatuan 2 subjekte që kishin zaptuar hapësirën publike (plazh), duke vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse.

Gjatë veprimeve të kryera nga punonjësit e Policisë u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. N., 51 vjeç dhe K. N., 56 vjeç, banues në Shijak, Durrës (administratorë të një subjekti), pasi kanë kundërshtuar punonjësin e Policisë.  Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. M., 32 vjeç, pasi u konstatua se përpara subjektit të tij kishte vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse.  Nga Policia bashkiake për të dy subjektet u vendos masë administrative” njofton Policia e Shtetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Pushtimi i tokës”.