Rikthehet Superiorja, ndryshon kalendari për ndeshjet e muajit dhjetor…

Pas pauzës disa javore për shkak të Botërorit, Abissnet Superiore do të rikthehet të dielën, për ndeshjet e javës së 13-të.

Nga FSHF bëhet me dije se ka pasur një ndryshim në kalendarin e kampionatit, teksa në programin fillestar do të luheshin katër javë deri në fund të muajit dhjetor, por është vendosur që luhen tre të tilla.

Më konkretisht, pas rifillimit kampionati do të luhet deri në javën e 15-të datë 21-22 dhjetor 2022 dhe do të ketë një pauzë të shkurtër për të rifilluar më datën 14 janar 2023.

Sakaq, të pesë ndeshjet e kësaj jave do të luhen të ndara mes të dielës dhe të hënës, ndërsa ka pasur edhe disa ndryshime në orare dhe stadiumet ku do të luhen ndeshjet.

Të dielën në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit në orën 13:00 do të luhet ndeshja Bylis-Laçi, ndërsa po në orën 13:00 do të nisë edhe sfida Kukësi-Teuta që do të luhet në “Kukës Arena”.

Sfida e fundit e ditës është ajo Erzeni-Partizani që do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” duke filluar nga ora 15:45.

Ndërkaq, të hënën ndeshja Tirana-Kastrioti është spostuar në orën 19:00 dhe nuk do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, por në stadiumin “Air Albania”, kurse sfida Vllaznia-Egnatia, që luhet në stadiumin “Loro Boriçi” do të nisë në ora 16:30.