Shkodër/ Ndërtimet pa leje, Ibro: Asnjë tolerim gjatë fushatës zgjedhore…

Viti 2022 ka nisur me interes më të lartë të qytetarëve por edhe bizneseve për të ndërtuar. Sipas kryeinspektorit të IMT në Bashkinë Shkodër, Gentian Ibro, pjesa më e madhe e kërkesave për leje janë punime riparuese.

Ibro i druhet fushatës zgjedhore, e cila mund të japë impaktin e saj për tentativë të bizneseve në ndërtime të paligjshme. Ndaj Ibro thotë se asnjë tolerim nuk do të ketë dhe çdo konstatim do të proçedohet.

Në harkun kohor të 3 viteve të fundit në territorin e Bashkisë Shkodër, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, ka konstatuar rreth 840 ndërtime pa leje. Për rastet në fjalë, kryeinspektori Gent Ibro thotë se ka kryer proçedurat e nevojshme që kanë të bëjnë me penalizimin, prishjen e objektit apo proçedimin penal. Në rastet kur objektet janë në proçes legalizimi, Inspektoriati nuk ndërhyn thotë Ibro deri në momentin që legalizimet japin vendimin përfundimtar.