Thirrje ndaj Qeverisë së Shqipërisë që “të mos heshtë përballë krimeve të luftës dhe gjenocidit në Gaza”…

Profesionistë të fushave të ndryshme, pedagogë, klerikë dhe aktivistë të shoqërisë civile nga Shqipëria, kanë shprehur nëpërmjet një deklarate publike solidaritetin me popullsinë palestineze dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë shqiptare që “të mos heshtë përballë krimeve të luftës dhe gjenocidit në Gaza”.

Në deklaratën e përbashkët të 240 profesionistëve dhe personaliteteve të fushave të ndryshme thuhet se “palestinezët nuk pranojnë t’i dorëzohen shtypjes dhe shfarosjes së kryer përgjatë 75 viteve shpronësim, spastrim etnik, pushtim ushtarak dhe aparteid”.

“Që nga fillimi i këtij sulmi të papërmbajtur, bombardimet pa diskriminim të ndërmarra nga Izraeli kanë vrarë më shumë se 7.000 palestinezë, përfshirë këtu rreth 3.000 fëmijë dhe qindra familje të shuara plotësisht. Bombardimi i Spitalit Baptist dhe Kishës Ortodokse të Gazës, ku objekt i sulmeve u bënë të plagosurit dhe civilët e pastrehë, janë krime lufte të padiskutueshme. Në akte që shprehin qartësisht qëllimin gjenocidal, Izraeli kërkoi transferimin e 1.1 milion banorëve të Gazës, pasi u ndërpreu furnizimin me ujë, ushqime, energji dhe lëndë djegëse, duke i mohuar 2.3 milionë njerëzve, gjysma e të cilëve fëmijë, elementët bazë të jetesës. Forcat pushtuese dhe kolonët po intensifikojnë dhunën edhe në Bregun Perëndimor, duke kryer vrasje, duke arrestuar qindra dhe duke keqtrajtuar të burgosurit politikë”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se e gjitha kjo po ndodh në kuadër të një bllokade ndëshkuese 16-vjeçare të vendosur mbi Gazën dhe shtohet më tej se heshtja dhe indiferenca e çdo qeverie ndaj kësaj bllokade i bën ato bashkëpërgjegjëse në këto krime.

“Gjenocidi është legjitimuar përmes dehumanizimit racist të palestinezëve. Yoav Gallant, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, u është referuar palestinezëve si ‘kafshë në formë njerëzish’. Thirrje të ngjashme për të ‘fshirë’ dhe ‘rrafshuar’ Gazën kanë qarkulluar në mënyrë rutinë në median dhe shoqërinë izraelite. Udhëheqësit politikë dhe media shqiptare i janë bashkuar këtij kori duke ofruar mbështetje të pakushtëzuar dhe unanime për sulmet pa dallim ndaj civilëve”, thekson deklarata.

Gjithashtu thuhet se bëhet thirrje për dalim të menjëhershëm të fushatës gjenocidale të Izraelit në Gaza dhe dhunës së kolonëve në çdo pjesë të Palestinës historike dhe i bëhet thirrje Qeverisë shqiptare “të ndalë nxitjen që po i bën Izraelit përmes mbështetjes politike dhe pjesëmarrjes indirekte në fushatën e dehumanizimit të popullit palestinez”.

“Ne rikonfirmojmë dhe i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të njohë të drejtën e palestinezëve për liri, vetëvendosje dhe rikthim në tokat e pushtuara. Izraeli është një projekt i vazhdueshëm kolonial dhe ne kërkojmë njohjen e të drejtës për të rezistuar ndaj kolonializmit të kolonëve sionistë, pushtimit ushtarak të tokave palestineze dhe arabe nga Izraeli dhe regjimit të aparteidit dhe dominimit racor. Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos lejojnë propagandën mediatike të mediave dhe aktorëve të caktuar të përziejnë dhe ngatërrojnë kriticizmin ndaj Izraelit dhe politikave të tij raciste me racizmin anti-hebre. Ne i hedhim poshtë përpjekjet për të censuruar solidaritetin me palestinezët dhe njerëzit e tjerë të shtypur dhe të persekutuar”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se disa ditë më parë në Shqipëri është mbajtur edhe një tubim në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez dhe për dënimin e krimeve të luftës, duke u dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve.