VIDEO/ 90-vjetori i lindjes së Nard Bushatit, mësuesit të artistëve…

Me biçikletën e tij ka rendur kudo nëpër Shkodër për më shumë se katër dekada, si një maratonomak i vërtetë në kërkim të talenteve të qytetit dhe është fjala për mësues Ferdinand Bushatin ose ndryshe siç e thërrasin të gjithë Nardin.

Familjarë, miq, ish-nxënës që sot secili prej tyre ka krijuar një karrierë të pasur artistike u mblodhën për t’i uruar 90-vjetorin e lindjes një prej figurave emblematike të qytetit të Shkodrës, që me punën e tij si drejtues i klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut” ka kontribuar mjeshtërisht në evidentimin e talenteve të reja të Shkodrës. Në fjalën e tij mësues Nardi i falenderoi të gjithë të pranishmit që u kujdesën t’ja bënin më të bukur këtë përvjetor të tij të lindjes.

Dy nga organizatorët e kësaj feste të 90-vjetorit nuk i fshehin emocionet e takimit por megjithatë ata thonë se nuk ishte aspak e vështirë t’i bënin bashkë të gjithë miqtë për të festuar ditëlindjen e mësues Nardit.

Secili nga miqtë artistë të cilët nuk ishin vetëm nga Shkodra por edhe Tirana kujtuan bashkë me mësues Nard Bushatin momente të bukura nga koha e kaluar me të.

Nard Bushati ishte drejtues i Klubit të Rinisë deri në vitet ’90 kur më pas pushoi së ekzistuari si institucion por duke nxjerrë dhe prodhuar artistë të shumtë në qytet.