Vllaznia fiton me përmbysje ndaj Skënderbeut, shkodranët rikthehen në krye…

Vllaznia nuk e ka humbur shansin për të marrë tre pikë të arta në shtëpi teksa ka mposhtur me rezultatin 2-1, Skënderbeun. Shkodranët e patën më të vështirë seç ishte parashikuar duke qenë se e gjeten veten në disavantazh kur u ndëshkuan nga Elvi Berisha në minutën e 25.

Por, për fat të mirë vetëm dy minuta më pas, Dajan Shehi riktheu baraspeshën në Loro Boriçi duke shënuar me kokë. Në barazim është mbyllur pjesa e parë, ndërkohë që në fraksionin e dytë, të besuarit e trajnerit Tomas Bërdariç ishin të vendosur për të dalë me tre pikët e plota.

Kështu, në minutën e 53, sulmuesi Dilaver gjeti golin e epërsisë, ndërsa vendasit këtë avantazh e ruajtën deri në fund. Pas kësaj sfide, Vllaznia rikthehet të kryesojë kampionatin teksa është në kuotën e 53 pikëve, ndërsa Skënderbeu mbetet në vendin e parafundit me 23 pikë.