Vrasja me 7 plumba në Shkodër, kamerat pikasën automjetin, autorët ruanin pranë banesës së Çekores…

Nga Edison Vatnikaj

Kamerat e sigurisë së zonën ku ndodhi vrasja e 57-vjeçarit Ismet Çekorja në Shkodër kanë fiksuar edhe një automjet të dyshimtë përveç motorit që dyshohet se është përdorur nga autorët. Pas krimit automjeti i dyshuar është nisur në drejtim të kundërt më lëvizjen e motorit. Sipas policisë këto 2 mjete dyshohet se prej kohësh kanë ruajtur Ismet Çekoren derisa u ekzekutua atentati me 7 plumba ku mbeti i vdekur.

Pamjet e kamerave të sigurisë janë mes provave kryesore të siguruara nga grupi hetimor i policisë së Shkodrës që po punon për zbardhjen e vrasjes së Ismet Çekores, i cili u ekzekutua një javë më psrë në afërsi të banesës së tij.

Burimet i thanë Ora News se 4 kamera sigurie të cilat ndodhen në kryqëzimine shkollës veterinare, përveç motorit të autorëve kanë pikasur edhe një automjet i cili ka lëvizuar sapo Çekorja është ekzekutuar me 7 plumba pistolete.

Makina ka shkuar në drejtim të kundërt më motorin dhe kjo lëvizje dyshohet se është bërë për të humbur gjurmët nga policia.

Për këtë automjet hetuesit shprehen shumë të kufizuar ndërkohë që janë kryer kërkime në disa pika servisi në zonën e Shkodrës me dyshimet se mund të jetë çmontuar, por ende pa rezultat.

Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë makinë të djegur apo të braktisur.

Nga kqyrja që hetuesit i kanë bërë kamerave të sigurisë para vrasjes së Ismet Çekores, nuk është identifikuar ndonjë person i dyshimtë që lëvizte në zonë përveç banorëve të lagjes.

Për këtë arsye hetuesit kanë dyshimë të forta se si motori dhe automjeti që dyshohet të jetë përdorur në krim prej ditësh qëndronin të fshehura në një nga banesat e zonës duke pritur shënjestrën e tyre.

Besohet se autorët kanë pasur akses në DVR e kamerave të lagjes dhe e kanë vëzhguar viktimën nga pamjet filmike.

Pas ngjarjes policia ka kryer vetëm shoqërime por nuk është përftuar ndonjë e dhënë e veçantë. Pistat kryesore të hetimit në lidhje me krimin mbetën aktiviteti i shkuar i Ismet Çekores së bashku me djalin e tij Bajram Çekoren, i cili është shpallur në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçaj./ORANEWS/