Vrasja në Grudë e Re, autori mohon krimin…

30-vjeçari, Eduart Kësolla i cili u ndalua nga Policia e Shkodrës për vrasjen e 47-vjeçarit, Prekë Tonaj, ka mohuar krimin para oficerëve të grupit hetimor të bluve të Shkodrës. Burimet bëjnë me dije se 30-vjeçari, nuk ka pranuar akuzat për vrasjen e 47-vjeçarit Prek Tonaj mbrëmjen e së dielës. Ai ka deklaruar se nuk ka qënë atë natë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që prova që mendohet se ka bindur hetuesit e policisë se ky shtetas është autor i dyshuar i vrasjes janë gjurmët e barotit.

Policia e Shkodrës i ka shkuar në banesë 30-vjeçarit Kësolla menjëherë pas vrasjes, pasi dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me konfliktet e hasmërisë mes dy fiseve. Ai është marrë nga banesa e tij dhe është shoqëruar për në ambjentet e komisariatit të Policisë së Shkodrës. Gjatë kontrollit në banesën e 30-vjeçarit nuk i janë gjetur armë, megjithatë tashmë mbi 30-vjeçarin rëndon akuza e vrasjes për gjakmarrje. Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje.

Por si nodhi Saga e vrasjeve mes fiseve?
Prekë Tonaj është viktima e tretë në këtë familje dhe vjen si rrjedhojë e një zinxhiri të gjatë vrasjesh. Familja Tonaj është në hasmëri me familjen Kësolla nga Dukagjini dhe me familjen Hasanaj. Historia nisi në komunizëm kur Pal Kësolla pas një debati në burg vrau Nikollë Tonajn, vëllanë e Prekë Tonajt. Në vitin 1996 familja Tonaj merr gjakun e vëllait duke vrarë Pal Kësollën.

Ndërsa në 2011 familja Tonaj u përfshi në një konflikt tjetër me fisin Hasanaj për çështje votash por më pas janë konfliktuar në urën e Dukagjinit ku ka mbetur i vrarë Zef Tonaj, vëllai i dytë të Prekës dhe është plagosur babai i tyre. Po në 2011 Prekë Tonaj u arrestua për tentativë vrasje. Sipas njoftimit të policisë së asaj kohe, Tonaj së bashku me djalin e tij dhe një person tjetër tentuan të vrasin një person për motive hakmarrjeje në fshatin Vuksan të Shkodrës.