Xhaferi: Vllaznisë i mungon një sulmues goli, Josës ia kam thënë pakënaqësitë…

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në emisionin “Skaner” në MCN TV, foli për ecurinë e Vllaznisë këtë sezon dhe merkaton.

Numri 1 i shkodranëve deklaroi se skuadra synon titullin dhe shtoi se rezultatet kanë munguar në disa ndeshje. Në lidhje me merkaton, Xhaferi tha se mund të bëhen 1 ose 2 goditje.

Sipas Xhaferit, problemi i Vllaznisë është sulmi dhe goli, ndërsa shtoi se ka folur me trajnerin dhe ia ka thënë pakënaqësitë e tij.

Kemi zhvilluar ndeshje të mira, por ka pasur edhe ndeshje zhgënjyese, ku kanë munguar rezultatet. Kemi pasur mungesa të rëndësishme për shkak të dëmtimeve. Me rikthimin e tyre dhe me një merkato të kujdesshme, me 1 ose 2 goditje, mund të bëjmë mirë.  

Vllaznia është ndërtuar për titullin, megjithë respektin për rivalët. Kampionati ka diferenca të vogla. Ka një distanca prej 7 pikësh me kreun dhe me pak kujdes, shpresoj ta ngushtojmë diferencën.

Në dy vitet fundit, në merkaton që kemi bërë në dimër, nuk kemi qenë të kënaqur. Jemi munduar të mësojmë gabimet. Kemi menduar të përforcojmë ekipin me një qendërsulmues dhe ndoshta diçka të mbrojtja. Jemi në negociata me disa. Unë jam më i angazhuar për lojtarë vendas, por kjo është në varësi të asaj që gjen. Mendojmë të bëjmë një goditje, nuk ka preferencë se nga do vijë.

Ka pasur edhe probleme në mbrojtje, por mendoj se Vllaznisë i mungon një sulmues që bën golin. Kjo na ka munguar, me gjithë respektin për lojtarët që kemi. Na ka munguar goli. Ka përmirësime te mbrojtja megjithatë. Analiza ka qenë e hollësishme. Unë i kam vënë në dukje pakënaqësitë.

Josa ndonjëherë në rrezik? Esenca e sportit është rezultati. Njësia matëse është rezultati. Normalisht në momentin që mungojnë rezultatet, stoli është i rrezikuar, kjo ndodh te të gjithë. Jam ulur me trajnerin, i kam shprehur pakënaqësitë e mia dhe në lidhje me se çfarë mund të përmirësojmë. Unë e vlerësoj shumë për kontributin e tij. Josa është 100% i angazhuar me ekipin. Shpresoj të kemi rezultate. Çdo gjë bëhet për të mirën e ekipit. Ne do luftojmë deri në fund për titullin kampion, sepse Shkodra ëndërron për këtë.