38 makina të vjedhura në tre muaj, Tirana dhe Shkodra mbajnë vendin e parë…

38 makina u vodhën në të gjithë vendin gjatë 3 muajve të parë të 2023. Nga këto raste të denoncuara vetëm 20 prej tyre janë zbuluar nga policia, me autorët që në pjesën më të madhe kanë rezultuar persona me precedent penal.

Tirana dhe Shkodra janë qytetet ku janë raportuar se ka pasur më shumë vjedhje të automjeteve.

Zonat më të preferuara ku vidhen automjete janë ato ku ka mungesë të ndriçimit dhe kamerave të sigurisë. Megjithatë nuk janë të pakta rastet kur vjedhja e tyre kryhet në lagje të mirë survejuara nga kamerat.

Për vjedhjen e tyre autorëve u duhen vetëm pak minuta, siç tregohet në disa video te sekuestruara nga policia.

Më pas këto makina çmontohen për t’u shitur për pjese këmbimi, ose u dublikohen të dhënat. Por shqetësim mbetet përdorimi i tyre nga grupet kriminale.

Të gjitha atentatet e fundit që nga Korriku i vitit të kaluar i ndodhur në mbikalimin e Fushe Krujës me 3 viktima, ai i 12 Marsit në “Don Bosko” me 1 viktimë e 5 të plagosur dhe ai i goditjes së godinës së Top Channel ku mbeti viktimë roja i objektit, janë realizuar me automjete të vjedhura.

Krahas automjeteve dhe vjedhja e targave në 2023 është shqetësuese. Nga Janari në Mars janë denoncuar 25 raste. Nga këto vetëm 4 raste janë zbuluar.