A mund ta shpëtojë tregu i brendshëm turizmin shqiptar?

Nga Adrian Mistrovasili

Anëtar i Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike

Në një situatë krejtësisht të pazakontë dhe të papritur si pandemia e shkaktuar nga covid19 turizmi përballet me një sfidë madhore që rrezikon vetë mbijetesën e këtij sektori. Jo sepse turizmi nuk do t’i kthehet normalitetit, por sepse kriza është e fortë, bllokimi është thuajse i plotë dhe kohëzgjatja përtej rezervave të akumuluara. Në këto kushte shumë aktorë të turizmit përballen me riskun e falimentit. Natyrshëm, ndjenja e mbijetesës i nxit këta aktorë në kërkim të formave dhe mënyrave të ndryshme për të përballuar situatën, veçanërisht në ato raste kur nuk parapëlqehet shndërrimi dhe përshtatja në veprimtari të tjera ekonomike, të cilat e kanë më të lehtë suksesin në situatën e re. Ndoshta është kjo rrjedhë e ngjarjeve që ka kthyer vëmendjen te tregu i brendshëm në një mënyrë të veçantë, ai po shihet tani si shpëtimtari i mundshëm i turizmit. Më në fund, ja ku erdhi kjo ditë, edhe pse në të vërtetë nuk mendoj se tregu i brendshëm ka potencialin për të zëvendësuar turistët që vijnë nga jashtë Shqipërisë. Megjithatë, në çdo rast ai është një treg që nuk mund dhe nuk duhet shpërfillur. Jo vetëm që në këtë situatë, ky treg ka mundësinë t’i sigurojë mbijetesën sektorit të turizmit, por ai gjithashtu është një volum i konsiderueshëm të cilin turizmi nuk e ka luksin ta shpërfillë.

Deri më sot, pjesa më e madhe e operatorëve turistikë dhe aktorëve të tjerë të turizmit i kanë trajtuar turistët vendas si klientë të garantuar që duan apo nuk duan, do të trokasin në portat e tyre. Por kjo është një kategori e vogël e potencialit të madh që ka tregu i brendshëm. Aty përfshihen të gjithë ata të cilët e kanë të pamundur të kalojnë pushimet jashtë, apo kanë ndjenja të forta atdhetarie dhe dëshirojnë të qëndrojnë në vendin e tyre. Nuk është për t’u çuditur që ofertuesit e shërbimeve turistike nuk lodhen shumë për të kënaqur këtë kategori pushuesish apo turistësh, rrjedhimisht ata shpesh mbeten të pavlerësuar dhe jo rrallë herë të pakënaqur. Ndërkohë ka një kategori tjetër pushuesish shqiptarë, të cilët rregullisht zgjedhin të kalojnë pushimet në vende të tjera dhe këtu nuk hyjnë ata që udhëtimin e kanë kënaqësi dhe synim në vetvete. Këta janë pushues të cilët vlerësojnë mirë ofertat dhe zgjedhin ato që janë më të favorshme. Kjo kategori ka potencial për të siguruar mbijetesën e turizmit në këto kohë, dhe në vijimësi të ardhura të konsiderueshme për këtë sektor.

Do të ishte e pafalshme që tani kur shumë prej këtyre pushuesve do t’ju duhet t’i kalojnë pushimet në Shqipëri, t’u ofrohet një shërbim dhe ofertë turistike që nuk plotëson pritshmëritë e tyre. Për këtë arsye është e domosdoshme për ofertuesit e shërbimeve turistike që të njihen mirë me pritshmëritë që kanë këta pushues dhe të përpiqen t’i përmbushin ato sa më mirë. Disa nga elementët kryesorë që duhen patur parasysh në këtë drejtim janë: cilësia e shërbimit, çmimi, siguria dhe garancia, lehtësimi/thjeshtësimi i procedurave dhe ndërthurrja e veprimtarive.   

Për sa i përket cilësisë së shërbimit  mund të thuhet se turizmi shqiptar paraqet boshllëqe të mëdha, ndonëse kohët e fundit ka patur përmirësime të lavdërueshme. Turizmit i mungojnë ende punonjës profesionistë dhe vënia në zbatim e praktikave më të mira. Gjithsesi, nëse aktorët bëhen të vetëdijshëm për këto mangësi dhe fillojnë të marrin masa brenda mundësive të kufizuara që kanë, ndërkohë që mangësitë do t’i reflektojnë edhe në çmimet që do të ofrojnë, atëherë mund të pretendohet për një shkrirje të akullit ndërmjet ofertuesve dhe blerësve.

Pretendohet shpesh se jashtë Shqipërisë gjen shërbime më të lira, por kjo nuk është e vërtetë nëse merret në shqyrtim shuma e shpenzuar e parave. Ky perceptim krijohet sepse raporti cilësi/çmim është më i favorshëm jashtë. Ofertuesit e shërbimeve turistike në Shqipëri duhet patjetër të kenë në vëmendje këtë raport kur përgatisin ofertat dhe gjithashtu të përpiqen për të krijuar një marrëdhënie besnikërie me klientët nëpërmjet ofertave shpërblyese për klientët e rregullt.   

Një tjetër çështje që meriton vëmendje është luhatja e vazhdueshme që pësojnë çmimet dhe cilësia e shërbimeve madje edhe brenda periudhave të shkurtëra kohore. Kjo shkakton një ndjenjë pasigurie dhe mosbesimi dhe turisti shpenzon energji të shumta për t’u siguruar që do të marrë shërbimin e paguar. Ky fenomen kthehet në një boomerang sepse shkakton lodhje dhe një gjendje të vazhdueshme pasigurie gjatë kohës që supozohet të jetë pushim dhe kënaqësi. Është e patolerueshme që ofertuesit e shërbimeve të mos garantojnë shërbimet dhe cilësinë që shesin. Ka kaluar koha e qasjeve pragmatiste dhe shfrytëzimit të situatave afatshkurtra dhe ka ardhur koha e strategjive afatgjata dhe ambicioze që duhen mbështetur me investime përkatëse.

Nuk duhet anashkaluar as rëndësia e lehtësimit dhe thjeshtimit të procedurave të përzgjedhjes së ofertës, dhe blerjes së shërbimeve. Operatorët turistikë duhet të nxjerrin mësime nga teknologjia e përparuar dhe të reagojnë shpejt për t’u përshtatur me ndryshimet e shpejta dhe të shpeshta, sepse ndodh që më lehtë rezervon në një bujtinë në një fshat të vogël në zona rurale diku jashtë se sa në një hotel në një qytet turistik në Shqipëri. Po ashtu është e vështirë të gjesh shërbim gjithëpërfshirës me një pagesë të plotë dhe të vetme. Kjo mundësi e çliron pushuesin nga përgjegjësia e vendimmarrjes së përditshme dhe krijon kushtet për të shijuar një kohë të qetë dhe të këndshme. E rëndësishme është edhe dhënia e informacionit të saktë dhe aktual nëpërmjet kanaleve të duhura të komunikimit.

Ndoshta elementi më thelbësor për të patur një pikë kthese në marrëdhënie me tregun e brendshëm është ndërthurrja e veprimtarive me qëllim pasurimin e ofertës turistike. Kjo detyrë i takon më së shumti operatorëve turistikë dhe DMO-ve. Nuk ka asnjë arsye përse e njëjta ofertë që i paraqitet tregut polak, çek apo ukrainas, të mos i ofrohet edhe tregut shqiptar. Ndërsa është e habitshme se si shumë pushues shqiptarë zgjedhin Malin e Zi apo ndonjë vend tjetër fqinj. Ata duhet të kenë mundësinë e zgjedhjes së një oferte për pushime në Shqipëri. Por kjo ofertë duhet të ketë një ndërthurrje dhe shumëllojshmëri veprimtarish të ofruara. Paketat turistike duhet të përmbajnë sa më shumë veprimtari në natyrë qofshin këto argëtuese apo zhvilluese. Koha e pushimit duhet të alternohet me veprimtari kulturore dhe në natyrë. Veprimtaritë ujore si zhytjet, shëtitjet me mjete ujore, peshkimi, lundrimi dhe veprimtaritë e ecjeve në natyrë, vaktet në natyrë, shëtitjet me kuaj apo mjete motorrike për terren jashtë rruge e të tjera si këto, duhet të ofrohen të ndërthurura sipas preferencave. Nuk duhen lënë pas dore vizitat kulturore në muze, parqe arkeologjike, galeri arti etj. Fokus i veçantë duhet t’i kushtohet trashëgimisë së prekshme dhe të paprekshme ku përfshihet arkitektura, folklori, gatimi, zejet, doket dhe traditat. Një ndërthurrje e mire e tyre krijon një paketë turistike konkuruese. 

Në përfundim të një shkrimi që e ka të pamundur të trajtojë temën në mënyrë shterruese, meritojnë të merren si model shembujt e suksesshëm të qyteteve si Korça, Pogradeci apo edhe Lezha e ndonjë qytet tjeter, ku ka struktura të cilat i kanë kushtuar vëmendje të theksuar klientëve shqiptarë dhe kanë arritur në mënyrë të sukseshme të garantojnë treg gjithëvjetor që i bën sot më pak të cënueshëm në këtë situatë krize dhe më të suksesshëm në të ardhmen.  (Adrian Mitrovasili)