Atentati ndaj Dedë Planaj në Shkodër, zbardhet dinamika dhe deshmia e të plagosurit…

Detaje të reja nga plagosja e Dedë Planajt në Dobraç të Shkodrës. Burime nga grupi hetimor thonë se në drejtim të 60-vjeçarit u shkarkua një karikator i plotë pistolete, ndërsa pesë plumba e qëlluan në këmbë, dorë dhe brinjë. Dedë Pllanaj është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa bëhet me dije se e ka kaluar rrezikun për jetën.

Plumbat nuk e kanë prekur në organet jetësore, ndërsa më i rrezikshmi ishte plumbi në brinjë, por që nuk ka depërtuar. Agresori ka vepruar i vetëm dhe ka qenë në motoçikletë. Është afruar, ka zbritur nga motomjeti dhe në një distancë rreth tre metra ka qëlluar drejtë 60-vjeçarit Planaj. Menjëherë më pas është larguar në drejtim të rrugës së Koplikut. Në atë drejtim rruge ka me dhjetëra rrugica që mund të ketë kthyer dhe mbetet i paqartë destinacioni final. Hetuesit mendojnë se atentatori nuk është dorë profesioniste, por gjithsesi e lidhin me ngjarjet e së kaluarës dhe dyshimeve për konfliktet që Planajt kanë pasur që më herët. Vetë 60-vjeçari Dedë Pllanaj nuk njihet për njeri problematik, por lidhja e gjakut me Bardhok Planajn mendohet të jetë shkak i këtij atentati.

Zbardhet dëshmia e 60-vjeçarit Dedë Planaj, të plagosur në Dobraç të Shkodrës në afërsi të karburantit ku punonte: “Po qëndroja ulur tek puna në karburant, si gjithmonë. Në një moment erdhi një motoçiketë, drejtuesi i saj ishte me kaskë të zezë. Zbriti dhe u afrua drejt meje dhe më qëlloi. Nuk ia pash dot fytyrën, nuk e di kush ishte. Unë personalisht nuk kam konflikte dhe nuk e di kush mund të jetë dhe as arsyen”, u tha Dedë Planaj hetuesve.