Balluku: 2 miliardë euro investim në Portin e Durrësit, 12 mijë të punësuar…

Qeveria shqiptare miratoi të premten marrëveshjen kuadër me Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit””.

Lajmin e dha për mediat zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku.

Ajo e vlerësoi këtë marrëveshje një tjetër hap të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.
“Projektin për Portin e Ri Turistik të Durrësit, është investimi më i madh i huaj në rajon, i cili jo vetëm do të transformojë rrënjësisht qytetin e Durrësit, por do ta çojë turizmin në Shqipëri në një tjetër nivel ndërkombëtar”, theksoi zonja Balluku.

Ajo tha se, kjo marrëveshje lidhet me ndërtimin e ballinës së portit të Durrësit dhe atij të Jahteve.
Forma e bashkëpunimit u miratua përmes pjesëmarrjes së shtetit në një shoqëri të përbashkët me investitorin privat, kushtëzuar ky vendim nga arritja e një marrëveshje të vlefshme mes palëve. Pavarësisht shtimit të kapitalit nga investitori privat kuota e aksionerit shtetëror nuk do të cenohet.

“Është kjo shoqëri tregtare e krijuar nga dy partnerët publik dhe privat që do të zhvilloj projektin  dhe do të përfitoj prej tij, mbajtësi i masave mbështetëse. Flitet për një projekt zhvillues që për herë të parë Shqipëria është mbajtësi i aksioneve për sa i takon një projekti kaq të madh me vlerë investimi 2 miliardë euro” spjegoi numri dy i qeverisë shqiptare.

Zonja Balluku tha se “aktiviteti i Portit nuk do të ndërpritet dhe pengohet gjatë fazave të zbatimit të projektit, ndërsa investimi do të ndikojë në zhvillimin e pronës për rreth”.

Gjithashtu tha ministrja, për të nxitur zhvillimin ne kemi dizenjuar projektin për ndërtimin e portit të ri komercial të Durrësit, që do të vendoset në zonën e Porto Romanos dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të projektit, ndërsa parashikojmë të ndërtojmë edhe një bazë për facilitetet e NATO-s.

“Ne synojmë që Porti i Durrësit t’i shërbejë të gjithë zonë së Ballkanit Perëndimor. Fillimisht me një port të thatë, i cili do të lidhet përmes hekurudhës nga porti i Durrësit në portin e thatë të Prishtinës, ndërsa po diskutojmë edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë që janë të gatshëm për të përdorur portin e Durrësit”, theksoi ministrja.

Balluku tha se, këto dy projekte i hapin rrugë integrimit të zhvillimit të turizmit dhe porteve detare që janë pjesë e strategjisë prioritare të zhvillimit të vendit.

Investimi strategjik me vlerë 2 miliardë euro në Portin e Durrësit, i hap rrugë një zhvillimi të ri të turizmit dhe gjeneron punësimin e 10 mijë deri 12 mijë personave.