Basha: Berisha ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë, kemi marrë masa

Në një deklaratë për shtyp një ditë para protestës së thirrur nga paraardhësi i tij, kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi se Sali Berisha ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Kreu i demokratëve tha se PD ka marrë masa “të përballet dhe tu tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj”.

Basha iu bëri thirrje demokratëve të rrinë larg skenarëve të dhunës që sipas tij duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së.

Lexo edhe: Bashës nuk i del “inati” me Berishën: Ta harrojë, nuk i përplas dot demokratët me njeri -tjetrin

Pjesë nga deklarata:

Tani situata është e qartë.

Përplasje mendimesh po.

Liri shprehje po.

Liri zgjedhjesh dhe garë po.

Në respekt të dinjitetit të secilit dhe normave të etikes demokratike e njerëzore.

Përplasje të tjera nga ato që ka ndërmend Sali Berisha dhe skenaristët e të ashtuquajtures protestë  para selisë së PD-së nuk ka e nuk duhet të ketë.

Demokratëve u bëj thirrje tu rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së.

Sepse edhe tani Sali Berisha po ju gënjen, manipulon dhe mashtron.

Ai kërkon ti përdorë demokratët si fasadë, sepse nesër ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna eshte streha e tij e fundit.

PD ka marrë masa të përballet dhe tu tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj.

Shqipëria nuk mund të turpërohet duke prodhuar një ngjarje të shëmtuar antiamerikane në selinë e PD-së dhe as demokratët nuk ja kanë borxh Sali Berishës kundërvënien përballë njëri tjetrit që ai nxit dhe provokon prej dëshpërimit të tij.

PD nuk mund ta mbajë e nuk ka për ta mbajtur këtë turp.

Demokratëve, mbeshtetësve të mi, mbështetësve të forumeve të PD-së, kritikëve të mi, kundështarëve dhe rivalëve  të mi ju them të qendrojmë të bashkuar përballë regjimit të Edi Ramës, përballë skenarëve të dhunës e shkatërrimit të PD-së.

Dua të përsëris se ndërsa nuk jam më i hapur për asgjë ndaj personit të shpallur non grata, që ka venë hallin e tij, mbi interesat e demokratëve dhe të Shqipërisë,

jam i gatshëm të dëgjoj dhe po dëgjoj, po reflektoj e do të vazhdoj të reflektoj me qëndrime e vendime demokratike ndaj kritikave, kundështimeve, kërkesave dhe propozimeve që forcojnë bashkimin tonë në diversitet, që sherbejnë për modernizimin e Partisë Demokratike dhe fitoren e saj.

Kjo është e ardhmja që demokratët kanë zgjedhur, kjo do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike!

Falemnderit!