Bashkia Shkodër reagon pas procedimit të dy inspektorëve të IMT-së…

Ditën e sotme, përmes komunikatës së DVP Shkodër, është shpërndarë një informacion lidhur me procedimin penal në gjendje të lirë të 2 inspektorëve të IMT- së Bashkia Shkodër. Informacioni është i pasaktë dhe sqarojmë si më poshtë personat e interesuar dhe opinionin publik:

Me datat 8 dhe 9 mars 2022, inspektorët e IMT- së kanë bërë konstatimin e 3 ndërtimeve pa leje dhe pezullimin e punimeve në zonën e Shirokës. Për këtë, janë hartuar edhe 3 PVK- Proces Verbali i Konstatimit përkatës lidhur me ndërtimet pa leje, ku është bërë edhe pezullimi i menjëhershëm i punimeve që po realizoheshin. Bashkëngjitur PVK- së, janë edhe fotot e ndërtimeve pa leje.

Pas pezullimit, duhet të vijohet me shembjen e ndërtimeve pa leje të konstatuar. Procedurat ligjore përcaktojnë afatin 10 (dhjetë) ditor për shembjen e ndërtimeve pa leje, periudhë gjatë të cilës mund ta kryejë vullnetarisht pronari i ndërtimit pa leje. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ndërhyn IMT që do vazhdojë të gjitha procedurat ligjore sipas afateve që përcaktohen në ligj.

IMT do të vazhdojë ushtrimin e kompetencave të veta ligjore në të gjithë territorin, në ndërveprim me të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend.