Bordi ul naftën me dy lekë për litër…

Bordi i Transparencës ka vendosur në mbledhjen e fundit uljen e çmimit të tregtimit me pakicë të naftës me 2 lekë për litër, duke e çuar në 238 lekë për litër.

Benzina tregtohet me 218 lekë, ose 3 lekë më pak.

Ndonëse në bursa, nafta ka rënë në rreth 100 dollarë për fuçi, në tregun vendas ulja ka qenë shumë e ngadaltë.

Operatorët e tregut pohojnë se arsyet lidhen me rritjen e dollarit, diferenca në vlerë të kontratave nga muaji në muaj, ku shtesa Premium është shumë më e lartë sesa më parë.

Ata vazhdojnë të ngulin këmbë se nëse çmimi do të vendosej nga tregu do të ishte rreth 5% më i lirë, pasi tregtarët do të manovronin duke bërë më shumë blerje kur bursa është e lirë, ndërsa tani, kur çmimi fiksohet nga bordi bëjnë vetëm blerje ditore.

Vendimi i Bordit
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 238 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 226 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 218 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 206 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litër edhe i shitjes me shumicë 69 lekë /litër.