Cappadocia, perla e fshehur e Turqisë…

Të ardhurat e Turqisë nga sektori i turizmit janë të rëndësishme dhe shumica e vendeve turistike të vendit, si Cappadocia, nuk janë prekur nga tërmetet, që shkaktuan dhjetëra mijë viktima në shkurt.

Vizitorët nga e gjithë bota vazhdojnë të jenë të mirëpritur në këtë rajon relativisht të panjohur, i cili po mahnit me bukuri natyrore dhe histori.

Llava, hiri, shiu, era dhe akulli janë “artistët”, që kanë skalitur gjatë miliona viteve Cappadocia-n, në Turqinë Qendrore.

Oxhaqet, strukturat konike që mund të arrijnë deri në 45 metra lartësi, janë të famshme në të gjithë botën.

Një anëtar i Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1984, Muzeu i Hapur Göreme është një kryevepër monastike bizantine. Kishat dhe manastiret këtu janë të gjitha të gërmuara në shkëmb.

Brenda “kishës së errët”, një nga më mbresëlënëset, muret janë stolisur me afreske të bukura.

Për mrekulli, ngjyrat kanë ruajtur shkëlqimin e tyre origjinal, falë teknikës së pabesueshme të përdorur në atë kohë.

“Kjo kishë ka ngjyrat e rajonit tonë. Pra, është e gjitha origjinale, nuk kishte nevojë të restaurohet. Gjithçka është natyrore: ngjyrat, pigmentet natyrore, dhe llustra nga vezët e pëllumbave të egër.” thotë Asım Çiftçi, guidë turistike në muzeun Göreme Open-Air.

Vreshtat e Cappadocia

Një tjetër perlë, edhe pse më pak e njohur, është vera e Cappadocia-s. Sipas historisë, zona është pjesë e rajonit që konsiderohet si vendlindja e verës.

Vreshtaria thuhet se ka filluar për herë të parë këtu në epokën e bronzit. Karakteri unik i verërave nga Cappadocia buron nga toka, siç shpjegon Doğukan Başbilir, menaxher i prodhimit në kantinën Turasan.

Cappadocia është veçanërisht e famshme për cilësinë e verërave të bardha, të bëra nga rrushi Emir, që është unik për rajonin. Kjo lloj vere ka një ngjyrë të verdhë të zbehtë, erë lulesh dhe mund të marri edhe nuanca hiri, për shkak të dheut me përbërje hiri vullkanik.

Aktivitete për të gjithë

Për turistë që pëlqejnë sportin, ofrohen edhe balona me ajër, çiklizëm dhe shëtitje. Hipizmi, një aktivitet gjatë gjithë vitit në Katpatuka, që do të thotë “vendi i kuajve të bukur” në anglisht, është një mënyrë praktike për të eksploruar rajonin.

Një tjetër aktivitet i domosdoshëm në Cappadocia, është zhytja në dhjetëra metra nën nivelin e detit, për të eksploruar rrjetin e tuneleve shekullore.

Të gdhendura nga guri i butë vullkanik, ka rreth 200 qytete nëntokësore në rajon. Vetëm disa prej tyre janë të hapura për vizitorët, si Kaymaklı, më i vjetri.

“Ky qytet nëntokësor është ndërtuar rreth 4000 vjet më parë”, thotë Levent Yüce, një guidë turistike në Kaymaklı. “Në epokën e Hititëve, pak a shumë 2000 njerëz mund të qëndronin këtu, por ata jetonin këtu vetëm në kohë lufte, për t’u mbrojtur nga armiqtë e tyre”.

Ka afër njëqind tunele brenda këtij qyteti nëntokësor, i cili ka diçka interesante për çdo lloj turisti. / Euronews