COVID 19/ MSH: 140 raste të reja dhe 5 humbje jete në 24 orët e fundit…

5 pacientë të tjerë e kanë humbur betejën me koronavirusin në vendin tonë përgjatë 24 orëve të fundit.

“Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 46 vjeçar nga Gjirokastra pa sëmundje të tjera, një 48 vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, një 70 vjeçar nga Durrësi me sëmundje bashkëshoqëruese, një 81 vjeçar dhe një 84 vjeçar, të dy nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese”.

I lartë është edhe numri i të infektuarve, me 140 raste të konfirmuara pozitive.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 603 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 140 persona janë konfirmuar pozitive me Covid19.  Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 72 raste në Tiranë, 14 në Kavajë, 12 në Fier, 10 në Kamëz, 6 në Kukës, nga 4 raste në Krujë, Kurbin, Mirditë, nga 2 raste në Shkodër, Korçë, Elbasan, Tepelenë, Bulqizë, nga 1 rast në Durrës, Lezhë, Lushnje, Vlorë”.

Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 101 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3480, që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë thotë se aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar. Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.