Detaje të reja nga grabitja e bankës në Koplik…

Një nga 3 autorët e dyshuar të grabitjes së bankës së nivelit të dytë në Koplik, çoi hetuesit tek vendi ku u hodh një nga armët e përdorura në krim. Mësohet se deklarimet e dhëna prej tij kanë ndihmuar grupin hetimor të gjejë prova për dokumentimin e grabitjes së 9 Majit në Koplik.

Kanë qenë fillimisht kamerat e sigurisë së bankës së nivelit të dytë që kanë ndihmuar hetuesit në identifikimin e Bekim Gurrajt si dhe të Armir e Admir Shabajt.

Lëvizjet e tyre krahas kamerave, janë pikasur dhe nga uniformat blu. Në momentin që 3 autorët kanë arritur të marrin një shumë prej rreth 15 mijë Eurosh nën kërcënimin e armës në bankë, ata dalin dhe përballë automjetit të tyre shfaqet një makinë policie.

Ky automjet mësohet se i përket Policisë Kufitare në Shkodër. Burime bëjnë me dije se nga hetimet në makinë ka qenë vetëm një punonjës policie i cili përpara hetuesve ka deklaruar, se ka tentuar t’i bllokojë rrugën por nuk ka arritur. Në këto kushte ai ka vënë në dijeni sallën operative të Policisë së Shkodrës.