“Dua ta drejtoj unë Vllazninë”, Hamdi Salihi i dashuruar me ekipin shkodran: gazetarët më transformuan fjalët…

Nga Klaudio Ndreca

Hamdi Salihi e ka lënë futbollin e luajtur, ndërsa tani po jep nga eksperienca e tij për Kombëtaren e Shqipërisë. Përvoja e madhe e këtij lojtari po përdoret nga ana e Rejës, për t’i mësuar edhe legjionarët e Kombëtares sesi të jenë të qetë përpara portës.

Ndërkohë Salihi ka qenë i pranishëm edhe në emisionin “Sport Arena”. Sipas asaj që raporton “Shkodra Sport”, ish-sulmuesi është shprehur se do të marrë drejtimin e Vllaznisë dhe se ndihet krenar që ka luajtur me të, pavarësisht transformimit të fjalëve nga gazetarët.

“Gazetarët ndoshta kanë dëshirë t’i transformojnë fjalët dhe besoj se kështu ka ndodhur edhe në rastin tim, por unë gjithmonë kam thënë se jam krenar që kam luajtur me Vllazninë. Ai është ekipi që më ka bërë futbollist dhe do mbetet gjithmonë në zemrën time. Kur i hyn këtyre rrugëve të trajnerit, kuptohet që njeriu ka ambicie dhe ëndrra të mëdha dhe njëra prej tyre padyshim është edhe ajo që unë të drejtoj një ditë Vllazninë. Shpresoj që kjo të jetë në momentin e duhur dhe unë do të isha i lumtur nëse do ta realizoja një ditë”. /Sport Ekspres/