E FUNDIT/ Arrestohet bosi i “Cosa Nostra”-s, Matteo Messina Denaro, ishte një ndër njerëzit më të kërkuar në botë…

Matteo Messina Denaro, bosi aktual i “Cosa Nostra”-s, një ndër njerëzit më të kërkuar në botë ë shtë mundur të arrestohet së fundmi nga autoritetet italiane.

Denaro ishte shpallur në kërkim prej 30 vitesh për një numër të madh ngjarjesh, dhe aarestimi i tij ndodhi në një klinikë private në Palermo. Operacioni mësohet se drejtohej nga Prokurori i Palermos Maurizio De Lucia dhe nga zëvendës-prokurori Paolo Guidi.

“Mbi Matteo Messina Denaro dihen shumë gjëra. Për shembull, dihet se ai vuan pak nga strabizmi, se i pëlqen ëmbëlsirat, dhe se e kalon shumicën e orëve në arrati duke luajtur video-lojëra (e dëshmuar kjo nga disa të penduar), duke zgjidhur enigma, apo që e quajnë edhe “U Siccu” (I dobëti), dhe se i ka vendosur vetes nofkën ‘Diaboliku’.

Po ashtu dihet se ka hequr dorë pas shumë hezitimesh, nga inicialet e qëndisura në mëngët e këmishëve të tij, për shkak se ishte një shenjë potenciale e zbulimit të identitetit të tij, dhe se sërish sipas të penduarve, e mban trupin në formë përmes biçikletës së palestrës.

Pra Denaro ishte nr.1 në mesin e italianëve në arrati, dhe një nga njerëzit më të kërkuar në botë.

Herën e fundit që dikush pretendon se e ka parë, ka qenë kur ishte pushime në Forte dei Marmi në gushtin e tij 1993, bashkë me 2 miqtë e tij të besuar Filippo dhe Giuseppe Graviano. Pastaj asgjë më shumë. Historitë që rrëfehen mbi të, përshkruajnë figurën e një mafiozi të pamëshirshëm, i gatshëm të vrasë edhe të pafajshmit, ndoshta më dinak se të tjerët, por sigurisht më i matur, deri në kufijtë e paranojës.

Ai nuk ka qenë asnjëherë në burg. Ka lindur në Castelvetrano (Trapani), në luginën Belice, në vitin 1963. Atje ndoqi shkollën fillore, ​​derisa braktisi InstitutinTregtar Teknik Ferrigno në Castelvetrano.

Në moshën 20-vjeçare, Messina Denaro mori pjesë aktive, së bashku me korleonezët, në luftën kundër familjeve rebele Marsala dhe Belice. Ai u bë një nxënës besnik i Totò Riina. Ai ishte tashmë një mafioz, por merrte nga shteti asistencë sociale për papunësinë.

Ai udhëtonte me një makinë Porsche, vishej me rroba të shtrenjta të markës Armani, dhe mbante në dorë një orë të markës Rolex Daytona. Ishte gjyqtari i ndjerë Paolo Borsellino, ai që e përfshiu për herë të parë emrin e tij në një dosje hetimore në vitin 1989.